Përmbytjet që kanë goditur Durrësin kanë shkaktuar probleme serioze edhe në burgun e qytetit, ku ujërat e zeza janë shpërthyer dhe kanë invaduar katin e parë, ku ndodhen qelitë e të burgosurve.
Situata është bërë edhe më alarmante, pasi burgu ndodhet në një zonë të pasigurt, e cila ka pësuar përmbytje të mëdha, duke e vënë këtë institucion nën rrezik.
Një i burgosur me shtetësi amerikane ka ngritur shqetësimin se shpërthimi i ujërave të ndotur brenda burgut mund të shkaktojë shpërndarjen e sëmundjeve infektive tek të burgosurit. Pasi kanali i ujërave të zeza kalon pranë burgut, reshjet e shiut kanë shkaktuar një shpërthim të papritur të sistemit të kanalizimeve, duke sjellë një situatë të pazakontë.
Pas ndodhisë, të burgosurit janë zhvendosur në katin e dytë të burgut për të shmangur pasojat, por situata mbetet e pasigurt. Të afërmit e të burgosurve kanë kërkuar ndihmën e avokatëve dhe medieve për të bërë publike këtë krizë dhe për të kërkuar masa të menjëhershme për sigurinë dhe shëndetin e të burgosurve.