Ilir Meta, President i PL-së, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” ka uruar nga qelia shqiptarët për Vitin e Ri 2025, duke zgjedhur foton nga ngjitja në Jezercë, maja më e lartë e Alpeve shqiptare.
“Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc. Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Të lidhura
None found
Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë”, shkruan Meta në mesazhin e tij.
Në vijim ai thekson se përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë.
“Përpara kemi një malore jo të lehtë.
E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.
Me përkushtim, dashuri dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë!
Gëzuar 2025!”, shkruan Ilir Meta.
