Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Bashkimi Evropian dhe vendet arabe, nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës bëjnë thirrje për paqe në Siri, ndërsa thanë se mbështesin një proces politik të udhëhequr nga Siria.
Deklarata u bë pas një takimi në Jordani, në të cilin u diskutua situata në Siri.
Përveç kësaj, udhëheqësit kërkojnë përmes deklaratës të parandalohet rishfaqja e grupeve ekstremiste dhe të garantohet siguria në vend.
“Territori sirian nuk është kërcënim për asnjë vend, as strehë për terroristët”, thanë ata.
Palët që nënshkruan deklaratën shprehin mbështetjen e tyre të plotë për integritetin territorial të Sirisë.
Nënshkruesit kërkojnë që procesi politik i tranzicionit duhet të jetë i udhëhequr nga Siria. Ata gjithashtu i kërkojnë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që të rrisë praninë e OKB-së në Siri.
Së fundi, ata këmbëngulin në një çështje tjetër, atë të respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e grave dhe të pakicave.
“Siria më në fund ka mundësinë t’i japë fund izolimit të dekadave ,” nënvizuan ata në deklaratë.