Vrasja me thikë e Aurelio Dervishit, flet babai i 18-vjeçarit: Nuk i kam falur autorët

Azbi Dervishi, babai i 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, i cili humbi jetën tragjikisht pasi u godit me thikë mbrëmjen e 31 marsit të këtij viti në zonën e Shkozës në Tiranë, gjatë një konflikti me disa të rinj, ka folur për herë të parë për ngjarjen që trondit familjen e tij.

Në një intervistë, babai i të riut është shprehur se më të birin ishte shumë i lidhur dhe është i bindur se Aurelio nuk ka pasur konflikte me askënd, ndërsa thotë se djali i thoshte gjithmonë që nuk i bie në qafë askujt.

 “Kam pasur një lidhje shumë të ngushtë me Aurelion, e kam pasur shumë afër, më tregonte gjithçka. Kurrë nuk ka pasur konflikte me asnjë, jam plotësisht i bindur. Unë e di çfarë fëmijë kam pasur, ishte i shkathët. Gjithmonë më thoshte ‘babai, në derën tonë nuk ka për të ardhur kurrë njeri të të thojë që Aurelio me ka rënë në qafë, ta siguroj, por rrugë njeriu nuk i hap’, këtë ma thoshte. Nuk i bie në qafë njëru më thoshte, dhe as nuk ka pse të më bjerë në qafë njëri.

Kujtimet me të janë të pafundme… Kujtime nga më të ndryshme, e ka pas afër gjithmonë. Do bëj gjithçka për ty më thoshte, do të të bëj krenar”. Me punë krahu i kam rritur fëmijët. Nuk e kam penguar për asgjë, më thoshte do dal me shokët, i thoja ‘nuk dua gabime, nuk dua njeri të trokas e të më thotë që djali më bëri këtë’. Jam munduar gjithmonë t’i plotësoj çdo gjë, ishte gjithçka për mua”, tha ai për Euronews Albania.

Babai i 18-vjeçarit ka treguar po ashtu se nga katër autorët e arrestuar për ngjarjen, disa prej tyre kanë tentuar t’i kërkojnë falje, por ai ka refuzuar.

“Nuk i kam pranuar, nuk ma bën zemra”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se është në pritje të vendimin të gjykatës për ta, nga e cila ka kërkuar dënim maksimal.

“Unë si prind kërkoj dënim maksimal, djalin tim po e tret dheu, të treten dhe ata atje brenda. Nëse gjykata nuk merr vendim, mbetet të marr unë vendim, pres shtetin…”, tha ai.


Shtuar 1.12.2024 22:53