Në një kohë pandemie, kur futbolli është goditur rëndë nga ana financiare, goditjet e mëdha të merkatos do të mungojnë dhe shifrat e blerjeve nuk do të jenë më të “çmendura” por nga ana tjetër ka edhe klube që mund t’ua lejojnë vetes të paguajnë shumë.
Sot në Europë, vetëm 2 ekipe kanë luksin ta bëjnë diçka të tillë dhe janë ato që kontrollohen nga Sheikët, PSG e Man. City. Këta të fundit ende nuk kanë hyrë në aksion pasi po presin goditjen Harry Kane ndërsa të parët e kanë nisur me vrull.
I pari ishte Wijnaldum me 10 mln Euro në vit page neto, i dyti Donnarumma me 12 mln Euro neto në vit dhe qershia mbi torte do të jetë Sergio Ramos.
Mbrojtësi spanjoll vjen pas largimit mes lotësh nga Real Madrid dhe është i lirë për të zgjedhur por ai nuk mund të zgjedhë këdo sepse e ka faturën e shtrenjtë ndaj dhe tentativat e Romës apo Milanit dolën bosh.
35-vjeçari ka rënë dakord me Leonardon për një kontratë 3-vjeçare e cila do t’i jape Ramosit 45 mln euro neto në xhep ose 15 mln euro në vit pa llogaritur bonuset e ndryshme që Al-Khelaifi shpërndan për trofe.
Në sytë e një situate të vështirë, PSG nuk ka asnjë problem të ofrojë paga të tilla dhe marrëveshja me Ramos pritet të zyrtarizohet ditët e ardhshme.