Sulmi vezët dhe kosi ndaj Belerit/ Berisha: Ishte urdhër i Ramës, PE të dënojë aktin e paprecedent

Ish-kryeministri Sali Berisha, sulmin ndaj eurodeputetit Fredi Beleri, ditën e djeshme pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, ku një qytetar i hodhi vezë dhe kos në trup, e ka konsideruar një akt banditeskt i porositur nga kryeministri Edi Rama.

Teksa e dënon vetë këtë akt rrugaçërie, Berisha i bën thirrje edhe Parlamentit Europian që të dënojë sulmin fizik ndaj Fredi Belerit.

Postimi i plotë i Berishës:

Akt rrugaçërie, i denjë vetëm për Edi Ramën!

Të dashur miq, në një akt hakmarrje primitive ndaj Fredi Belerit i cili ndodhet në Shqipëri si anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, me urdhër të Edi Ramës, i mbyllën derën e Parlamentit dhe nuk e lanë të futet deri sa erdhi provokatori patronazhist për të agresuar eurodeputetin Beleri. Provokatori pas aktit banditesk u largua i qetë.

Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe aktin banditesk të porositur nga Edi Rama ndaj eurodeputetit Beleri në detyrë. I bëj thirrje Parlamentit Europian të dënojë aktin e paprecedent ndaj deputetit Beleri të organizuar nga Edi Rama, i cili pasi i rrëmbeu mandatin e Kryetarit të Bashkisë Himarë dhe e burgosi me dëshmitarë të rremë i organizon me banditë agresionin fizik.


Shtuar 30.10.2024 10:55