Këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.
Raportohet se gjyqtarja Irena Gjoka, argumentoi se edhe kjo do të bashkohet me provat e tjera dhe se gjykata do të dalë në një konkluzion.
Të lidhura
None found
Sipas gjyqtares së çështjes, asnjë provë nuk ka fuqi apo vlerë paracaktuese të provuar.
Mbrojtja pretendoi në seancën e kaluar se akti i ekspertimit, është me të meta në përmbajtjen e tij dhe pretendoi se procesi i demontimit dhe cmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta, jo të sakta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.
Avokatët kërkuan në seancën e kësaj të mërkure që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre.
Seanca ka nisur prej orës 09:20 minuta dhe vijon, pasi mbrojtja ligjore e Mediut po paraqet kundërshtimet e saj në lidhje me përgjigjet e pesë ekspertëve në dy seancat e kaluara.
Në seancë është i pranishëm edhe Fatmir Mediu.
