Kush është Elson Reçi që porositi atentatin me minë ku u “shkund” Tirana?!

Elson Reçi, nipi i biznesmenit të vrarë Kastriot Reçi, i cili u arrestua sot në Dubai rezulton se është në krye të një grupi kriminal që është fokusuar kryesisht në vrasjet për shkak të hakmarrjes. Ekzistenca e këtij grupi është zbuluar gjatë hetimeve të SPAK për zbardhjen e më shumë se 12 atentateve të ndodhura në vite.

“Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini, ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte.

Edison Reçi ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit Preng Gjini”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, zbardhur më datë 18 Maj 2024.

Atentati që tronditi Tiranën

Atentati me minë të telekomanduar ndaj Preng Gjinit ndodhi në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020. Shpërthimi ndodhi sapo makina u fut në urën e Nisharakut në Tiranë, duke sjellë plagosjen e rëndë të Preng Gjinit. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale dhe mjaft delikate, për shkak të dëmtimeve të shumta.

400 gram C4 ishte vendosur në pjesën e poshtme të makinës që drejtonte Preng Gjini, nga Rrësheni dhe shpërtheu në momentin kur ai po udhëtonte mbi urën e lumit Lana, që ndodhet te zona e njohur si ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.

Saga e vrasjeve mes familjeve Reçi e Gjini

Ishte një pazar i prishur droge në Itali, rreth 1 milionë euro, midis Gaspër Reçit dhe Preng Gjinit që do të niste një sagë të gjatë hakmarrje. Vrasja e parë që do të hapte serinë e pambarimtë të eliminimeve, do të ishte ajo e Saimir Jakut, vrasje kjo, e ndodhur më 9 shtator 2016, ku dy persona të armatosur qëlluan për vdekje me kallashnikov, drejtuesin e linjës së Tensionit të Lartë për Veriun të OSSHE-së.

Nëntë muaj pas vrasjes të Jakut, një tjetër atentat, këtë herë në Itali, do të pasonte serinë e vrasjeve, ku i eliminuari i radhës do të ishte Gaspër Reçi, vëllai i Kastriot Reçit, i cili u ekzekutua më 28 prill 2017, me katër plumba në kryeqytetin italian, Romë. Gasper Reci, 43 vjeç u qëllua në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet e palës italiane nuk u arrit të identifikohej asnjë autor për ngjarjen.

Viktima e radhës do të ishte Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut, drejtorit të OSSHE-së të ekzekutuar vetëm një vit përpara kësaj ngjarje. 31-vjeçari u ekzekutua më 6 shtator 2017 në komunën Forest, në Belgjikë.

Dy vite pas kësaj ngjarje, u ekzekutua dhe Armando Gjini, që mbante edhe emrin Tonin, i cili u vra në sy të dy fëmijëve të tij, më 12 gusht 2019, pranë Katedrales së qytetit të Rrëshenit. Eliminimi i Kastriot Reçit më 7 janar 2020, në qytetin e Rrëshenit, erdhi pas vrasjes së Armando Gjinit.

Pas eliminimeve të radhës të Armando Gjinit më 19 gusht 2019 dhe Kastriot Reçit më 7 janar 2020, por edhe shënjestrave të mëhershme, viktima e radhës e këtij konflikti të gjatë dhe të përgjakur, do të ishte vetë Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë në shpërthimin me eksploziv të vendosur në makinën e tij në Tiranë.

Atentat që shokoi opinionin publik për ashpërsinë, por edhe për vendin që autorët kishin zgjedhur për planin e tyre të radhës të eliminimit, një urë mbi lumin Lana, në zonën dhe pikun e trafikut, ku lëvizin shumë njerëz. Ky atentat rezulton se është porositur nga Elson Reçi, nipi i Kastriot Reçit i cili është vënë në krye të një grupi të ri kriminal, sipas SPAK, për të marrë hak.


Shtuar 19.08.2024 22:38