ZYRTARE / Josep Martinez portieri më i ri i Interit

Interi ka njoftuar edhe zyrtarisht transferimin e portierit spanjoll Josep Martinez nga Genoa për shumën e 15.5 milionë eurove përfshirë edhe bonuset.

Martinez mbushi 26 vite në muajin maj dhe bëri debutimin e tij në Serie A këtë sezon, pas promovimit të Genoas nga Serie B.

Ai kaloi një pjesë të karrierës së tij në akademitë e Barcelonës dhe Las Palmas para se të transferohej tek Leipzigu në vitin 2020, ku më pas erdhi tek Genoa fillimisht në huazim në vitin 2022, para se transferimi të bëhej i përhershëm një vit më vonë për 3.5 milionë euro.

Sipas asaj që raportojnë burime të ndryshme, kostoja totale e operacionit për Interin është 13.5 milionë euro plus dy milionë të tjera në bonuse.

Martinez kështu do të bëhet lojtari i gjashtë spanjoll që vesh fanellën e Interit.

Gjatë dy sezoneve tek Genoa, ai ka bërë 68 paraqitje mes Serie A, Serie B dhe Coppa Italia, duke pësuar 68 gola.

Ai pritet që fillimisht të jetë opsioni i dytë pas Yann Sommer, por me idenë që të luajë titullar nga sezoni i ardhshëm.


Shtuar 9.07.2024 19:09