Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic nuk është i kënaqur me rezultatin, por komplimenton lojtarët e tij për mënyrën se si luajtën kundër Anglisë. “Nuk ishte ky plani. Ishte krejtësisht i ndryshëm dhe ai ishte fitorja. Luajtëm me guxim, me forcë, nuk u trembëm përveçse në 15 minutat e para në të cilat ua lamë topin anglezëve” – shpjegoi Stojkovic në fund të ndeshjes.
“Ne ishim të vendosur mirë në fushë. Mendoj se kontribuan edhe ndryshimet në 45 minutat e dytë, i detyruam anglezët të mbroheshin. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi demonstruar. Rezultati është negativ, por çfarë mund të bëjmë, le të ecim përpara”.
“Nuk kemi për çfarë të turpërohemi. Mund të bëjmë shumë, do ta dëshmojmë në ndeshjen e radhës (kundër Sllovenisë). Goli mungoi, është e vështirë kur nuk shënon, nuk mund të fitosh nëse nuk shënon, por shpresoj që të kemi fat më të mirë në ndeshjen tjetër”.