Kosova feston sot 25-Vjetorin e Çlirimit/ Parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë, nga lufta në paqe, foto-dëshmitë e ndryshimit

Sot bëhen 25 vite nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Mediat botërore, asokohe, pasqyruan gëzimin e qytetarëve të Kosovës, kur ata takonin për herë të parë ushtarët e misionit të KFOR-it. Ky përvjetor po shënohet me aktivitetet e shumta.

Për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në orën 12:00 bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

“1500 do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së që do të parakalojnë në shesh me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Në këtë parakalim marrin pjesë krerët e shtetit, deputet e ministria, si dhe personalitete të ftuar.

Veteranët britanikë që shërbyen në kuadër të KFOR-it vizitojnë Kosovën

Një grup ushtarësh të dikurshëm britanikë, të cilët shërbyen në Kosovë si pjesë e kontingjentit të KFOR-it, janë kthyer në Kosovë pas një çerek shekulli, në vendin që kishin ndihmuar të çlirohet.

Vizita e tyre, e cila u mundësua me ndihmën dhe koordinimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka shërbyer si një udhëtim emocional përgjatë vendndodhjeve ku ata qëndruan në atë kohë pas përfundimit të konfliktit.

“Faleminderit shumë Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për pritjen tonë të ushtrisë britanike dhe veteranëve britanikë. Ne ndoqëm rrugën e marrë nga NATO, 25 vjet më parë nëpër ura dhe tunele dhe drejt Prishtinës, duke takuar miq të vjetër (dhe të rinj) gjatë rrugës”, thuhet në njoftimin e Mbrojtja e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Kthimi i këtyre ushtarëve të dikurshëm nëpër vendet ku kanë shërbyer, ka qenë një kujtesë e gjallë e ndikimit dhe kontributit të tyre në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky rikthim ka simbolizuar lidhjet e forta dhe partneritetin e vazhdueshëm mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

ÇLIRIMI DHE 25 VITE MË PAS NË FOTO

Disa vende që shihen në fotografitë e qershorit 1999 duken ngjashëm edhe sot, por shumica janë transformuar krejtësisht. Por, si duken sot ato lokacione?

Kaçanik

12 qershor 1999: Në këtë fotografi të shkrepur më 12 korrik në qytetin e Kaçanikut në jug të Kosovës, shihen ushtarët britanikë, derisa me helikopterë zbresin mbi një urë për të siguruar atë për arritjen e trupave të tjera të NATO-s. Qindra trupa britanike, përfshirë ata elitarë Gurkha, të njëjtën ditë vazhduan rrugën drejt Prishtinës.

6 qershor 2024: Vendi ku është shkrepur kjo fotografi nuk ka ndryshuar shumë as 25 vjet pas. Aty vërehet zgjerimi i rrugës dhe anësoret mbi urë. Disa shtëpi dhe objekte tjera janë ndërtuar ndër vite, si dhe një rrugë është asfaltuar.

Prishtinë

13 qershor 1999: Një tank i rëndë i ushtrisë britanike i njohur me emërtimin “Challenger”, shihet në lagjen Veternik të Prishtinës, një ditë pas arritjes së trupave britanike në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Trupat e NATO-s nisën të marrin kontrollin e Prishtinës pas tërheqjes së trupave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë.

5 qershor 2024: Kjo rrugë ka ndryshuar krejtësisht. Përveçse është zgjeruar rruga, janë ndërtuar qindra objekte afariste dhe banimi. Megjithatë, rruga dhe lagjja janë lehtësisht të identifikueshme për shkak se disa objekte në sfond vazhdojnë të jenë ende aty.

Prishtinë

13 qershor 1999: Ushtarët britanikë derisa shikojnë një objekt banimi kolektiv duke u djegur në Prishtinë. Sipas përshkrimit të fotografisë nga Reuters, kjo fotografi është shkrepur pak kohë pasi trupat britanike ishin sulmuar me armë zjarri nga një pjesëtar i ushtrisë serbe.

5 qershor 2024: Përgjatë viteve shihet se në këtë lokacion është ndërtuar një objekt shkollor, si dhe janë vendosur rrethoja pas zgjerimit të rrugës. Shumë objekte të tjera për banim kolektiv janë ndërtuar në 15 vjetët e fundit.

Podujevë

18 qershor 1999: Forcat e KFOR-it arritën në Podujevë disa ditë më vonë se në qytetet tjera të Kosovës. Në këtë fotografi shihen fëmijët duke vrapuar pranë një tanku derisa përshëndesin ushtarët britanikë, të cilët sapo kishin arritur në qytet.

6 qershor 2024: Njëzetepesë vjet pas, në të njëjtin vend objekti komunal mbetet thuajse i njëjtë. Sheshi kryesor është zgjeruar dhe janë ndërtuar objekte të reja.


Shtuar 12.06.2024 09:01