Nesër ngrihet Komisioni i posaçëm antikorrupsion, me 11 anëtarë, 6 PS dhe 5 opozita! Zbardhet projektvendimi: Do zgjasë 10 muaj

Ditën e nesërme Kuvendi pritet të ngrejë Komisionin e Posaçëm Anti-korrupsion, që pritet të marrë vetëm votat e socialistëve në Kuvend. Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 të opozitës, përfaqësues të pakicës parlamentare.

Report Tv siguron pr/vendimin për ngritjen e këtij komisioni të Posaçëm që do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.

“Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit” thuhet në pr/vendim.

Ndonëse ngritja e komisionit është parashikuar në rend dite për seancën e nesërme, PS mund të kërkojë tërheqjen e projekt-vendimit dhe shtyrjen për në një tjetër seancë në pritje të një dakordësie me grupin parlamentar të PD për përbërjen e emrave. Nëse rendi i ditës në seancën e nesërme nuk do të ndryshojë do miratohet vetëm ngritja e komisionit dhe jo përbërja. Përbërja me emrat e anëtarëve të këtij komisionit do t’i lihet një tjetër seance pasi të jetë gjetur dakordësia me opozitën.

Ndërkohë emri i deputetit socialist, ish ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj është një nga emrat që përflitet .

Vetë Opozita nuk e ka pritur mirë këtë nismë të mazhorancës, ndërsa abstenuan edhe në votimin e rezolutës. Ndërkohë para se të merrnin pjesë në mbledhje shumica e deputetëve të Rithemelimit u shprehën kundër pjesëmarrjes në këtë komision të posaçëm, por pritet të dilet me një vendim unanim nga mbledhja e grupit.

 


Shtuar 29.05.2024 16:46