Enzo Maresca i ka bindur drejtuesit e Chelseat që ta punësojnë atë pasi ai i bëri të ditur atyre planin që ka për të nxjerrë më të mirë nga një lojtar i ekipit i cili po has në vështirësi që ta dëshmojë veten.
Tifozët e Chelseat mbetën të befasuar javën e kaluar kur klubi njofoti se Mauricio Pochettino është larguar me marrëveshje të dyanshme.
Pronarët e klubit Clearlake Capital dhe konsorciumi i drejtuar nga Todd Boehly nuk humbën kohë për të gjetur zëvendësuesin e tij, pasi trajneri i Leicester Cityt, Enzo Maresca, pritet që gjatë kësaj jave të emërohet si trajner i ri i tyre.
Leicesteri raportohet se i ka dhënë Chelseat lejen për të biseduar me 44-vjeçn italian pasi “Blutë e Londrës” e kanë identifikuar atë si objektivin e tyre kryesor para Roberto De Zerbit dhe Thomas Frank.
Sipas The Standard, Maresca u bë kandidati kryesor i Chelseat pasi ai i ndau planet e tij në mesin e shumë ideve për të rikthyer versionin më të mirë të mesfushorit Enzo Fernandez.
Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën momentalisht po rikuperohet nga operacioni që pati shkaku i një problemi shëndetësor i cili iu shfaq gjatë pjesës së dytë të sezonit.
23-vjeçari ende nuk është përshtatur mirë me ambientin në Londër dhe ndonëse ka shfaqur copëza të kualitetit që posedon, ai nuk ka arritur që ta dëshmojë pse Chelsea pagoi 106 milionë euro për shërbimet e tij në 2023.
Fernandez ka dështuar që të krijojë një partneritet të suksesshëm me Moises Caicedon, por Maresca raportohet se i ka ofruar klubit disa sisteme të ndryshme të formacioneve që do t’i lejojë lojtarët të shfaqin versionin e tyre më të mirë.
Ani pse Marseca ka drejtuar vetëm 53 ndeshje në Angli dhe asnjë në Ligën Premier, drejtuesit e Chelseat e pëlqejnë pikëpamjen e tij për futbollin dhe eksperiencën që ka pasur me Pep Guardiolën si asistent i tij./Telegrafi/