Të paktën 2 plane ka pasur ish-anëtari i bandës së Durrësit Plaurent Dervishaj për të vrarë Rrumin e Shijakut, ndërsa i vetmi që u vu në zbatim, ai në 2019, la një viktimë aksidentale, shoferin e ish-prokurorit Ndoja. SPAK kopsiti dosjen ndaj grupit të Dervishajt i cili ndodhet në arrati në Dubai, ku rezulton se për të gjurmuar të fortin e Shijakut banda ka marrë të dhëna nga TIMS dhe regjistri i automjeteve.
Sulmin me armë që iu bë në 20 qershor të vitit 2019, Plaurent Dervishaj, nuk e harroi dhe e ktheu në motiv të hakmarrjes së tij, ndaj personit të vetëm që ai dyshonte, të fortit të Shijakut, Aleksandër Laho. Dy miqtë të cilët kishte në Range Rover, Julian Meçja dhe Bashkim Haxhija, i përdori në të paktën 3 plane për të vrarë Lahon, të njohur me pseudonimin “Rrumi i Shijakut”.
Sipas SPAK, që tashmë ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen për gjykim në GJKKO, Plaurent Dervishaj, ish-pjesëtari i bandës së Durrësit, drejtoi një grup kriminal me 10 persona për të vënë në zbatim planin e vrasjes.
Më 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit Rrumit iu bë pritë në atentat teksa udhëtonte në makinën e ish-prokurorit Arjan Ndoja. Të dy mbetën të plagosur, ndërsa fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, Andi Maloku, një të riu 29-vjeçar nga Fushë-Kruja.
Zbërthimi i bisedave të koduara në SKYECC dhe rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, zbuluan sipas SPAK – se para dhe pas atentatit te Mbikalimi i Shkozetit, Plaurent Dervishaj ka biseduar edhe për 2 plane të tjera për të vrarë të fortin e Shijakut, të cilat nuk kanë mundur të realizohen.
Teksa për Rrumin e Shijakut motivi lidhet me hasmërinë, hetuesit janë ende të paqartë se përse ish-anëtari i Bandës së Durrësit donte edhe kokën e ish-prokurorit që shoqërohej me një person me historik kriminal.
Ngjarja në atë kohë, artikuloi për herë të parë nga kryeministri Edi Rama termin “KÇK, – kap ç’të kapësh-, duke iu referuar qokave të fundit që persona të drejtësisë mund të bënin për krimin para se të digjeshin në vetting.
Për atentatin ndaj Ndojës dhe Rrumit që la pasojë vdekjen e shoferit, është dënuar me burg përjetë Redjan Rraja, nipi i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja, dhe me 35 vite bashkëpunëtori Ariol Halilaj.
Hetimet e SPAK të nisura prej vitit 2021 zbuluan se në grupin e tij, Dervishaj kishte afruar edhe nipin tjetër të ish-deputetit Ramazan Rrajën, i arrestuar më 19 prill 2024, me armë në brez.
Po nga bisedat në aplikacionet e koduara të zbërthyera nga homolgët francezë, është zbuluar se grupi i Plaurent Dervishajt, kanë bërë plan të vrasin babain e shoferit të vrarë në atentatin ndaj prokurorit dhe vëllain e Rrumit të Shikajut, Vullnet Muharremi. Genci Maloku kërkonte drejtësi për të birin, pasi kishte instituar disa herë në dyert e prokurorisë të mësonte kush fshihej pas vrasjes së djalit.
Me tiparet e një grupi të strukturuar kriminal, banda siguronte makina dhe targa të vjedhura, armë zjarri dhe më tej– thotë SPAK – “kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e objektivit edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se informacionet merreshin nga sistemi TIMS, duke siguruar foto të personave dhe lëvizje të tyre, por merrnin të dhëna edhe nga regjistri i automjeteve, se me çfarë makinash lëviznin.
Se cilët janë personat që i kanë ndihmuar për të nxjerrë të dhënat, dhe nëse ka të përfshirë nga policia, është një dosje që është ndarë më vete, dhe hetim që vijon për të zbuluar të tjerë bashkëpunëtorë.
5 nga grupi janë të arrestuar në Shqipëri, ndërsa organizatori Plaurent Dervishaj dhe 2 miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi, ndodhet në strehën e krimit në Dubai, vend me të cilin Shqipëria ende nuk ka marrëveshje ekstradimi, dhe po vepron në disa raste me marrëveshje.
Sipas Report Tv anëtari tjetër i grupit kriminal Bledar Polovina është arrestuar në SHBA, dhe SPAK ka kërkuar ekstradimin e tij.
Sipas dosjes hetimore organizatorët në liri i kishin premtuar 2 arrestuarve për atentatin se në asnjë rast nuk do nxirrnin emrat e bashkëpunëtorëve, me garancinë se nga jashtë, do i ndihmonin të mos merrnin dënim të rëndë.