Manchester United i ofron Barcelonës kartonin e Bruno Fernandes në një marrëveshje të madhe shkëmbimi

Manchester United raportohet se do ta ofrojë kartonin e kapitenit të ekipit Bruno Fernandes në një marrëveshje të madhe shkëmbimi me Barcelonën gjatë verës.

Fernandes i cili ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar shtatë asistime në Ligën Premier këtë sezon, duket se ka paralajmëruar një largim nga Unitedi në verë kur tha, ‘Natyrisht, nuk varet vetëm nga unë, apo jo?’.

Gazeta spanjolle El Nacional, ka raportuar se reprezentuesi portugez mund të përdoret si pjesë e një shkëmbimi me Barcelonën.

Raporti shton se United mund t’i ofrojë blaugranasve kartonin e Fernandesit në mënyrë që të lehtësojnë transferimin e Frenkie De Jong në ‘Old Trafford’.

United u vu në kërkim të holandezit pothuajse gjatë tërë verës së vitit 2022, por duke mos arritur sukses në këtë drejtim dhe rrjedhimisht nënshkruan me Casemiron për 70 milionë euro.

De Jong mbetet tek Barcelona por sipas kësaj gazete holandezi mbetet në krye të listës së dëshirave të Jim Ratcliffe.

Duke marrë parasysh se ‘Djajtë e Kuq’ nuk duan të paguajnë 77.5 milionë euro për shërbimet e tij, është thënë se janë të gatshëm të ofrojnë Fernandesin për të zbutur çmimin.

Propozimi i klubit anglez është që përveç ofrimit të kartonit të portugezit, të paguhen edhe 17 milionë euro të tjera.

De Jong kishte luajtur nën urdhrat e Erik Ten Hag tek Ajaxi dhe së fundmi trajneri i Unitedit kishte pranuar se është e nevojshme blerja e tij për të aplikuar stilin e tij të preferuar të lojës. /Telegrafi/


Shtuar 11.05.2024 18:19