Esma Toluli është 86-vjeçarja, që prej 3 muajsh sorollatet sa në një hotel në tjetrin, pasi në apartamentin e saj në rrugën “Margarita Tutulani” ka qiraxhi. Ajo tregoi për “Stop” se ka firmosur disa letra në gjermanisht me mendimin që kishte firmosur se pas vdekjes së saj apartamentin ia linte djalit. Por me atë firmë djali i ka ndryshuar pronësinë apartamentit.
Esmaja kërkon me lot në sy që të futet në banesë pasi kërkon të vdesë aty.
‘Të lutem shumë më ndihmoni se jam shumë keq rrugave. Pensioni më mbaroi, të gjitha më mbaruan. Ju lutem më ndihmoni, më fusni në shpinë time, të vdes në shpinë time të paktën’.
Sipas ekspertit Fatmir Laçej, duhet të kishte kontratë dhurimi që apartamenti t’i kalonte djalit. “Stop” komunikoi me djalin e Esma Tolulit, Haxhiun, i cili thotë se nëna dhe motrat e kanë mashtruar dhe apartamenti është lënë në një bankë të nivelit të dytë si koletaral. Pa u shlyer ajo kredi, thotë Haxhiu, askush nga familja nuk futet në atë apartament.
Haxhi Toluli: Alo! Po! Unë e kam marrë atë apartamentin copë-copë, të rrënuar, në 2003-shin, kam investu mbi 22 mijë euro, e kam bërë të ri komplet. Nëna shkon pa dijeninë time, e fut në kredi, në 2014-2015 më tha, kredia është shlyer dhe unë pranova, për të marrë banesën në emrin tim. Ndërkohë unë shkoj në bankë, del ky problemi i barrës.
Gazetarja: Zonja Esma do të hyjë në këtë banesë.
Haxhi Toluli: Pasi të shlyhet ajo kredia, po nuk u shlye ajo kredia, nuk futet asnjë aty nga familjarët e mi. Nëna e ka bë motrën me 3 dhoma, kuzhinë te Astiri. Në momentin, që më liron kredinë me burrni, me noteri, me ça të doni juve, unë vij prapë firmos dhe nënës i jap çelësin dhe të jetojë, sa t’ia ketë dhënë Zoti.