Eksploziv biznesit në Durrës, arrestohet autori

Një sasi lënde eksplozivi është vendosur në një objekt biznesi në Durrës.

Policia ka arrestuar autorin që ka vendosur lëndën eksplozive si dhe menaxherin e lokalit në pronësi të tij, të cilit i është gjetur një armë në makinë.

Gjatë kontrolleve është vënë nën hetim edhe vëllai i autorit të ngjarjes, pasi në banesën e tij është gjetur një sasi vere me logon e një subjekti tjetër, veprime këto që sipas policisë bien ndesh me vendimin e gjykatës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Në vijimësi të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë dhe shtetasi B. Z., 34 vjeç, banues në Shetaj, Durrës, menaxher i lokalit në pronësi të shtetasit G. M., pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një karikator me 7 fishekë luftarakë.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe vëllai i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në Shijak iu gjet një sasi vere me logon e një subjekti tjetër, veprime këto që bien ndesh me vendimin e gjykatës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit G. M., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”; në ngarkim të shtetasit B. Z., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit “dhe në ngarkim të shtetasit A. M. për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, njofton policia.


Shtuar 9.06.2021 11:59