Dhjetëra studentë të rrëmbyer nga persona të armatosur në një shkollë në Nigeri

Dhjetëra nxënës u rrëmbyen nga persona të armatosur në një shkollë në Nigerinë veriore sot, thanë banorët dhe prindërit e fëmijëve.

Numri i pengjeve mbetet i paqartë.

“Ndërsa flasim, njerëzit po shkruajnë emrat e fëmijëve të tyre që shkuan sot në shkollë dhe nuk u kthyen. Atëherë do të dimë numrin e saktë” të të zhdukurve, tha Salisu Ahmed Kuriga, tre vëllezërit e motrat më të vegjël të të cilit mungojnë.

Disa prindër thanë se kur personat e armatosur arritën në shkollë, ata filluan të qëllonin në mënyrë sporadike. Më pas morën me vete dhjetëra studentë dhe u zhdukën në xhungël. Në këtë shkollë mësojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

“Nuk dimë çfarë të bëjmë, presim të shohim se çfarë do të bëjë Zoti”, tha Fatima Usman, dy fëmijët e së cilës janë rrëmbyer.

Një prind tjetër, Hassan Abdullahi, tha se rojet lokale të sigurisë u përpoqën të largonin personat e armatosur, por u mposhtën.

Rrëmbimet për shpërblim nga persona të armatosur janë bërë endemike në Nigerinë veriore.
Për shkak të kësaj situate, mijëra fëmijë nuk ndjekin shkollën. Rrëmbimi i fundit i madh i studentëve ndodhi në qershor 2021, kur persona të armatosur rrëmbyen 80 fëmijë nga një shkollë në shtetin Kebbi të Nigerisë veriperëndimore./albeu.com


Shtuar 7.03.2024 20:44