Kërkojnë rikthimin te fitorja ndaj Tiranës, 2 rikthime “big” për Tetovën

Egnatia nuk po kalon një moment aspak të mirë në kampionat, teksa prej 5 ndeshjesh nuk po arrijnë dot te fitorja. Këto rezultate kanë bërë që Vllaznia t’i ofrohet vendit të parë që mbahet nga rrogozhinasit, teksa diferenca mes tyre është vetëm 4 pikë.

Në 5 ndeshjet e fundit skuadra e Edlir Tetovës ka marrë 4 barazime dhe një humbje dhe tashmë i gjithë fokusi është kthyer te një tjetër duel mjaft i rëndësishëm për objektivat e tyre. Kundërshtari i radhës për kryesuesit është Tirana, ekip që gjithashtu nuk po kalon një moment të mirë në Superiore.

Dueli me bardheblutë do të luhet më 10 mars dhe është i vlefshëm për javën e 27-të. Për këtë takim lajm i mirë për Tetovën është rikthimi i dy titullarëve. Bëhet fjalë për Albano Aleksin dhe për Edison Ndrecën, të cilët për shkak kartonësh munguan ndaj Dinamos. Në këto kushte të dy futbollistët do të marrin vendin e tyre në formacionin titullarë ndaj kryeqytetasve. /newsport.al/


Shtuar 4.03.2024 09:01