Ndikimet në Ballkan të vazhdimit të pushtimit rus në Ukrainë, a rrezikohet Kosova nga një konflikt?

Dy vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, pyetja e ndikimit të këtij konflikti në politikën e Ballkanit është e rëndësishme dhe shqetësuese. Ndikimi i Moskës në vendet e Ballkanit ka shqetësuar politikanët dhe analistët, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pyetja se çfarë pret Rusia dhe a do të përpiqet të destabilizojë Ballkanin me gjithë frontin e hapur në Ukrainë i shqetëson të gjithë.

Yuri Kim, zëvendës ndihmës sekretare kryesore për Evropën dhe Euroazinë në Departamentin amerikan të Shtetit, tha në një intervistë për Shërbimin ukrainas me rastin e dyvjetorit të fillimit të pushtimit rus, se Moska e ka treguar me veprimet e saj se nuk heziton aspak të destabilizojë vendet që i sheh si të pambrojtura.

“Ata sulmuan dy fqinjët e tyre, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Ajo [Rusia] ende mban 20% të territorit të Gjeorgjisë. Ne pamë gjithashtu se ajo instalon në thelb një regjim kukull në Bjellorusi. Dhe kështu të gjithë fqinjët e saj flenë me një sy hapur. Mendoj edhe për Ballkanin. Kemi parë se si ata po ndërmarrin veprime të padobishme, kurse ne do të ndërmarrim veprimet tona për të siguruar që Rusia të mos ketë sukses në Ballkan”, tha Kim për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe).

Christine Hilt, analiste e lartë për çështjet makro-gjeopolitike globale në Grupin Eurasia, thotë se pretendimet për ndikimin rus në Ballkan janë sigurisht shqetësuese.

“Prej kohësh ekziston shqetësim i përhapur në lidhje me ndikimin keqdashës të Rusisë në Ballkan dhe aftësinë e Rusisë për të nxitur potencialisht destabilitet diku tjetër për të shkëputur vëmendjen nga konflikti i tyre në Ukrainë. Kështu që unë mendoj se kjo është ende në tavolinë. Një nga vendet më të lehta për këtë është Serbia, Kosova, e cila është një konflikt që ende nuk është zgjidhur, dhe sigurisht Rusia mund ta përdorë atë për të larguar vëmendjen nga vetja ndërsa vazhdon fushatën e saj në Ukrainë”, tha Hilt.


Shtuar 24.02.2024 18:27