Theo Hernandez i hapur për transferimin e mundshëm te Real Madridi

Real Madridi do të jetë në kërkim të një mbrojtësi të ri të majtë gjatë verës. Synimi është që Ferland Mendy të shitet, me Alphonso Davies të Bayern Munichut të nënshkruar si zëvendësues. Por, ka edhe emra tjerë në orbitë.

23-vjeçari kanadez mund të jetë i disponueshëm për një marrëveshje me çmim të ulët, pasi kontrata e tij është vendosur të skadojë në fund të sezonit të ardhshëm.

Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë për Los Blancos të nënshkruajnë me Davies. Bayerni po shtyn fuqishëm për një rinovim, ndërsa Liverpooli dhe Manchester City janë gjithashtu të prirur për nënshkrimin e reprezentuesit kanadez këtë verë.

Nëse Real Madridi do të shqyrtojë opsione të tjera, një mund të jetë rikthimi i Theo Hernandez, i cili u largua nga klubi në vitin 2019 për t’u bashkuar me Milanin, ku ai ende luan.

26-vjeçari konsiderohet të jetë një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, nëse jo më i miri dhe së fundmi u pyet nga Diario AS në lidhje me një lëvizje të mundshme te Los Blancos.

“Në Real Madrid kam miq të shkëlqyer dhe kujtime fantastike si nga klubi ashtu edhe nga tifozët e tij, por tani jam lojtar i Milanit, ndihem shumë mirë këtu dhe nuk mendoj për gjëra të tjera. Jam plotësisht i fokusuar në atë që duhet të bëj çdo ditë me këtë fanellë”, ka thënë fillimisht Hernandez.

“Ne kurrë nuk e dimë se çfarë do të sjellë jeta, por unë jetoj në të tashmen për emocione dhe profesionalizëm. Askush nuk e di të ardhmen. Ka ende shumë ndeshje për të luajtur këtë sezon me Milanin dhe me të vërtetë jam duke menduar vetëm për atë që duhet të bëj në fushë”, përfundoi francezi.

Kuptohet, kjo ishte një përgjigje diplomatike nga Hernandez. Nuk ka dyshim se ai do të ishte një nënshkrim i mrekullueshëm për Real Madridin, por në moshën 26-vjeçare, ai mund të jetë shumë i vjetër për politikën e transferimeve të klubit, veçanërisht pasi Milani do të kërkonte shumë për nënshkrimin e tij. /Telegrafi/


Shtuar 10.02.2024 11:24