Në një përpjekje të orës së fundit, drejtuesi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, u përpoq të mërkurën të shpëtojë një propozim për ndihma për Ukrainën, nga një paketë e mëparshme që dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve për zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e kufirit. Në propozimin e ri përfshiheshin dhjetëra miliarda dollarë për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e tjerë të Shteteve të Bashkuara.
Republikanët në Senat arritën të bllokojnë propozimin e ri, me një votim 49 me 50, shumë më pak se 60 votat që duhen për të miratuar projektligjin,
Senatori demokrat nga Nju Jorku ishte shprehur më herët se synonte t’i detyronte republikanët që të merrnin pjesë në dy votime proceduriale. I pari, për një paketë të negociuar prej kohësh me vlerë 118 miliardë dollarë ku përfshihen masat për kufirin që u refuzuan nga republikanët. Votimi i dytë procedurial do të jetë për një paketë të ndryshuar nga ku është hequr pjesa për kufirin. Nëse republikanët do të mbështesnin ndonjërin prej këtyre propozimeve gjatë votimit procedurial, atëherë do t’i hapej drita jeshile Senatit për të bërë një votim të plotë gjatë seancës plenare.
“Vazhdojmë të mendojmë se Ukraina, Izraeli, ndihma humanitare në Lindjen e Mesme dhe për Indo-Paqësorin, si dhe forcimi i ushtrisë sonë, janë me rëndësi jetike”, u tha gazetarëve të mërkurën senatori Schumer.
Propozimi për ndihma rreth 60 miliardë dollarë për Ukrainën ka ngecur në Kongres prej muajsh për shkak të kundërshtive nga konservatorët e linjës së ashpër që kërkojnë një strategji daljeje nga lufta. Për shkak të këtij ngërçi, Shtetet e Bashkuara kanë ndalur dërgesat e armëve për Kievin, në një moment kyç për konfliktin gati dyvjeçar, duke i lënë ushtarët ukrainas pa municion të mjaftueshëm dhe pa raketa, ndërkohë që Rusia bën sulme të vazhdueshme.
Kauza e Ukrainës ende gëzon mbështetjen e shumë senatorëve republikanë, ndër ta drejtuesi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, por pikëpyetja të cilës nuk i kanë dhënë dot përgjigje ligjvënësit, ka qenë gjithnjë se si mund të hartohej një propozim që do të kalohej nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane.
“Fillimisht, republikanët thanë se do kalonin vetëm Ukrainën dhe Izraelin, ndihmat humanitare, me kufirin. Pastaj thanë se nuk do ta kalonin me kufirin”, tha senatori Schumer. “Atëherë do t’ua japim të dyja opsionet”.
Senatori Schumer shtoi se propozimi i ri do të përmbante edhe legjislacionin për të autorizuar sanksione dhe mjete kundër pastrimit të parave, për t’u përdorur ndaj organizatave kriminale që trafikojnë fentanilin drejt Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, nuk u bë menjëherë e qartë nëse plani i ri, edhe nëse do të kalonte në Senat, do të fitonte mbështetjen e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. Ligjvënësit republikanë vazhdojnë të këmbëngulin për një plan për kufirin, megjithëse e refuzuan si të pamjaftueshme marrëveshjen e negociuar në Senat.
“Nuk shoh se si do të kalonte në këtë dhomë. Nuk di se si do ta paraqiste këtë kryetari në seancë plenare”, tha kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, ligjvënësi republikan Mike Rogers, duke shtuar se dëshiron që propozimi të shoqërohet me politika më të ashpra kufitare.
“Nëse nuk përballemi me çështjen numër një në Amerikës, kur themi që kjo është mënyra e vetme për të arritur tek çështjet e tjera; nuk di si mund të shmanget kjo”, tha ai.
Pas kritikave të ashpra të ish Presidentit Donald Trump ndaj propozimit ndërpartiak të Senatit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson e refuzoi atë me shpejtësi. Qëndrimi i ish Presidentit i ka shtyrë edhe shumë republikanë që të lëkunden për sa i përket Ukrainës, duke sugjeruar se ai do të negocionte për t’i dhënë fund luftës.
Kryetari Johnson tha këtë javë do të donte ta shqyrtonte ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën në paketa të veçuara, por një projektligj që ai paraqiti me vetëm ndihmën për Izraelin nuk u miratua të martën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Drejtuesi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries tha të mërkurën se e vetmja rrugëzgjidhje ishte një përqasje gjithëpërfshirëse që përmban fonde për aleatët e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën, si dhe mbështetjen humanitare për civilët në konfliktet në Gazë dhe Ukrainë.
Paketa e re përmban 14 miliardë dollarë për Izraelin, investime në industrinë amerikane të mbrojtjes, fonde për vendet aleate në Azi, si dhe 10 miliardë dollarë për operacionet humanitare në Ukrainë, Izrael, Gazë dhe vende të tjera.