Eric Dier është zyrtarisht i Bayern Munichut

Bayern Munich ka njoftuar se ka përfunduar nënshkrimin e mbrojtësit Eric Dier nga Tottenhami.

29-vjeçari ka nënshkruar një kontratë me klubin që zgjat deri në verë me opsion deri në vitin 2025. Dier nuk do të jetë në skuadër për ndeshjen e Bayernit kundër Hoffenheimit të premten në mbrëmje.

Për kalimin e tij në Bundesligë, Dier tha: “Kjo lëvizje është një ëndërr e bërë realitet për mua, sepse si fëmijë dëshiron të luash për një klub si Bayerni një ditë. Bayern është një nga klubet më të mëdha në botë dhe ka një histori të pabesueshme. Dua ta ndihmoj ekipin me shkathtësinë time në mbrojtje. Unë me të vërtetë pres me padurim të luaj me shokët e mi të rinj në Allianz Arena, e cila në sytë e mi është një nga stadiumet më të mira në botë”.

Në Bayern, Dier mund të ribashkohet me ish-shokun e skuadrës për një kohë të gjatë, Harry Kane. Lojtari tashmë ka një rol të përcaktuar në skuadër me mbrojtësin që përdoret si një rezervë, siç u konfirmua nga Thomas Tuchel në konferencën e tij për shtyp përpara ndeshjes së Bayern kundër Hoffenheim të premten.

Në skenarin më të keq, Dier mund të përdoret edhe si mesfushor. Bayern tani do të kërkojë të nënshkruajë një mbrojtës të djathtë që mund të luajë në vend të Noussair Mazraoui, i cili është në Kupën e Kombeve të Afrikës me Marokun, ndërsa performanca e tij këtë sezon ka qenë gjithashtu nën nivelin.

Ish-mbrojtësi i RB Leipzig, Nordi Mukiele është shumë i lidhur me një rikthim në Bundesligë. /Telegrafi/


Shtuar 11.01.2024 21:29