Holstein Kieli shpenzoi 2.5 milionë euro për amerikanin John Tolkin në janar të vitit 2025, duke e bërë atë blerjen më të kushtueshme në historinë e klubit.
Por në triumfin 3-0 ndaj Dresdenit, mbrojtësi i majtë nuk u aktivizua dhe e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli. Në krahun e majtë luajti 19-vjeçari Leon Parduzi, një nga zbulimet më të rëndësishme të skuadrës këtë sezon.
Të lidhura
None found
Parduzi iu bashkua Holstein Kielit nga Karlsruheri gjatë verës së vitit 2025. Edhe pse kishte lënë gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesligën U19, te klubi nga Baden-Württembergu nuk iu dha hapësira e nevojshme për të bërë hapin e radhës.
I lindur në Achern, ai zgjodhi të largohej nga Karlsruheri për të ndjekur synimin për t’u bërë futbollist profesionist, ndryshe nga bashkëlojtarët e tij Louey Ben Farhat, Danyal Zor dhe Rafael Pinto Pedrosa.
Te Holstein Kieli, pritja për debutimin në Bundesliga 2 zgjati deri në xhiron e 34-të të sezonit të kaluar. Gjatë kësaj kohe, mbrojtësi u aktivizua me ekipin rezervë në Oberliga, niveli i pestë i futbollit gjerman, ku aftësitë e tij treguan shpejt se ai mund të synonte më lart.
Pas një përgatitjeje shumë të mirë me ekipin e parë, Parduzi, i cili ashtu si fqinji i tij i fëmijërisë Florent Muslija e përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, mori mundësinë të zëvendësonte Tolkinin, i cili u lëndua në fillim të sezonit.
Paraqitjet e 19-vjeçarit e bindën trajnerin Tim Walter që ta mbante në formacionin bazë edhe pasi amerikani u rikthye nga lëndimi.
“Leoni bëri mirë javën e kaluar dhe sot ishte sërish shumë i mirë”, kishte thënë Walter.
Deri tani, Parduzi e ka justifikuar plotësisht besimin e trajnerit. Revista gjermane “Kicker”, duke u bazuar në notat e paraqitjeve, e ka cilësuar atë futbollistin më të mirë të Holstein Kielit këtë sezon. Ai po i reziston konkurrencës së Tolkin dhe japonezit Niko Takahashi, i cili luan në klub si i huazuar.
“E di që John dhe Niko janë dy lojtarë shumë cilësorë në pozitën time. Konkurrenca me ta më motivon jashtëzakonisht shumë. Duhet të jap 110 për qind çdo ditë”, ka deklaruar Parduzi.
Paraqitjet në fushë po e konfirmojnë këtë qasje. Në mbrojtje, futbollisti i Kosovës po renditet ndër mbrojtësit anësorë më të mirë të ligës, veçanërisht falë numrit të madh të dueleve defensive të fituara.
Ai luan rol të rëndësishëm edhe në organizimin e aksioneve. Parduzi e prek topin mesatarisht rreth 80 herë gjatë 90 minutave, statistikë që e vendos në mesin e futbollistëve më të spikatur të ligës në këtë kategori. Përqindja e saktësisë së pasimeve të tij është 84 për qind, ndërsa te pasimet e shkurtra arrin afërsisht 90 për qind.
Megjithatë, deri tani loja e tij ka qenë disi e kujdesshme dhe ai rrallë është shfaqur në fazën përfundimtare të aksioneve sulmuese. Mbrojtësi e pranon se në këtë drejtim ka ende mundësi për t’u përmirësuar.
“Kjo përfshin edhe goditjen drejt portës kur kam mundësi, apo dërgimin e një krosimi të mirë”, ka thënë ai.
Deri më tani, Parduzi ka luajtur vetëm me Kombëtaren U21 të Kosovës. Nëse e vazhdon formën aktuale, një ftesë nga Kombëtarja A nuk do të përbënte befasi, madje mund të vinte që në nëntor, për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës dhe Izraelit.
Nëse arrin të bëhet pjesë e ekipit të parë të Kosovës dhe ruan statusin e titullarit në Bundesliga 2, atëherë kalimi i tij në Bundesligë mund të jetë gjithnjë e më pranë.






