Trumpit nuk do t’i lejohet të flasë në përmbylljen e gjyqit për mashtrime financiare

Një gjykatës në rastin gjyqësor në Nju Jork kundër Donald Trumpit, për mashtrime financiare, ka tërhequr lejen që ish-presidentit amerikan t’i lejohet fjala përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.

Trump po akuzohet se në mënyrë mashtruese ka rritur vlerën e pronave të tij dhe prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, po kërkon 370 milionë dollarë nga ai, por edhe që Trumpit t’i ndalohet që të bëjë biznes në këtë shtet.

Të dy ekipet ligjore do të nisin fjalimet e tyre përmbyllëse të enjten.

Avokatët e Trumpit, të cilët vazhdimisht kanë sulmuar gjyqtarin e rastit dhe prokuroren e Përgjithshme duke i akuzuar për anshmëri, kanë lënë të kuptohet se ish-presidenti do të mbante fjalimin përmbyllës.

Por, në bazë të emaileve të shkëmbyera mes gjykatësit Arthur Engoron dhe ekipit ligjor të Trumpit, gjykatësi Engoron tha se nëse ish-presidenti dëshiron të flasë “ai do të pajtohet me kufizimet që kam vendosur”, përkatësisht që t’i përmbahet fakteve të këtij rasti gjyqësor.

Në përgjigjen dërguar përmes korrespondencës elektronike, ekipi i Trumpit e cilësoi këtë vendim si “të padrejtë”, duke insistuar se Trump duhet të lejohet “që të flasë për gjërat për të cilat ai duhet të flasë”. Por, gjykatësi u përgjigj se oferta e tij ishte “merre ose lëre” dhe ekipi i Trumpit nuk u pajtua, prandaj ish-presidenti nuk do të deklarohet para gjykatës më 11 janar.

Trump, që po konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin nga republikanët për garën presidenciale, dhe dy djemtë e tij më të mëdhenj po akuzohen se në mënyrë mashtruese kanë rritur vlerën e pronave të paluajtshme të tyre, në mënyrë që të marrin hua më favorizuese nga bankaz.

Trump vazhdimisht ka shkruar në rrjetet sociale se ky rast gjyqësor “është vendosur kundër meje, para se të fillonte”.

Avokatët e Trumpit kanë mohuar se ish-presidenti ka mashtruar, duke argumentuar se vlera e patundshmërive është subjektive dhe se bankat që i kanë dhënë hua organizatës biznesore të Trumpit nuk kanë humbur asnjë para.


Shtuar 10.01.2024 21:25