Mjeku rrëfen gjendjen rëndë në Gaza: Ne duhet të vendosim kë të shpëtojmë, e kë të lemë të vdesë

Një kirurg kanadez, i cili sapo është kthyer nga Gaza, pasi ka kaluar dy javë duke punuar në Khan Younis në pjesën jugore të enklavës, ka rrëfyer këto fjalë; “Ju duhet të vendosni se kë do të shpëtoni dhe kë duhet të lini të vdesë”.

Anas Al-Kassem, ka detajuar vendimet e pamundura që duhet të marrin mjekët e fundit të mbetur, pasi stafi, pajisjet dhe furnizimet janë jashtëzakonisht të ulëta në mes të ofensivës së Izraelit.

Al-Kassem i tha CNN, se gjendja e sistemit shëndetësor të Gazës ishte “më e keqe nga sa prisja”.

“Unë mendoj se është më keq se sa prisja të jem i sinqertë me ju”, tha ai për CNN, duke shtuar se bombardimet izraelite në Gaza kishin qenë më intensive se sa ai kishte përjetuar duke punuar në Aleppo gjatë luftës civile në Siri.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor nuk ishte ndoshta më i miri për shkak të rrethimit të Gazës për vite,” tha ai, duke shtuar se në luftën aktuale “ishte në prag të kolapsit dhe 100% u shemb”.

Mungesa e furnizimeve adekuate mjekësore, ka ndikuar në objektet e mbetura të kujdesit shëndetësor në territor, tha ai.

“Ne kemi një mungesë të madhe të pajisjeve, të furnizimeve mjekësore, ju e dini, aparatin e skanimit CT, dhe gjëra të tilla, e lëre më mungesën e barnave të tilla si analgjezisë, antibiotikëve etj”, tha ai, duke shtuar se ai duhej t’u bënte qepje pacientëve pa anestezi, në mënyrë që ta ruante për operacione me të mëdha.

Rrethimi i Izraelit dhe kufizimet e rrepta për ushqimin, karburantin dhe ujin që hyjnë në Gaza kanë shtypur sistemin e kujdesit shëndetësor, duke i detyruar punonjësit mjekësorë të përballen me pacientë të plagosur rëndë, në një mjedis të zhveshur nga furnizimet dhe infrastruktura thelbësore.

Vetëm 13 nga 36 spitalet në Gaza funksionojnë pjesërisht, dhe zënia e shtretërve është në 351%, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Ramallah.

Në Deir al-Balah, Spitali i Martirëve Al-Aksa, raportoi se kishte marrë dhjetëra viktima nga disa pjesë të Gazës qendrore, nga sulmet e rënda ajrore që goditën zonën.

Më në jug, ku ushtria izraelite ka përqendruar pjesë të fushatës së saj, Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se “nuk mund të përballojë” humbjen e spitaleve të mbetura operacionale.


Shtuar 10.01.2024 14:43

Tags: , ,