Gabriel Attal, vetëm 34-vjeç kryeministri më i ri në historinë moderne franceze

Mbrëmjen e djeshme, kryeministrja në largim Elisabeth Borne, dha dorëheqjen, ndërsa  Gabriel Attal, u cilësua menjëherë si favoriti për të pasuar 62-vjeçaren.

Ai është emëruar kryeministri i ardhshëm i Francës, pasi Emmanuel Macron, synon të “ringjallë” presidencën e tij me një qeveri të re.

Në moshën 34-vjeçare, Attal është bërë kryeministri më i ri në historinë moderne franceze, duke kaluar edhe socialistin Laurent Fabius, i cili ishte 37-vjeç, kur u emërua nga François Mitterrand në 1984.

Attal pason Elisabeth Borne, e cila dha dorëheqjen pas 20 muajsh në detyrë.

Gabriel Attal, i cili aktualisht është ministër i Arsimit, do të kryesojë qeverinë franceze në zgjedhjet e rëndësishme të Parlamentit Europian në qershor.

Gabriel Attal, 34-vjeç, prej vitit 2017 ka pranuar se është në një lidhje dashurie me një partner, Stéphane Séjourné, me të cilin bashkëjeton.

Kështu ai bëhet kryeministri i parë jo vetëm në një moshë të re, por edhe kryeministri i parë që i përket komunitetit të LGBTQI.


Shtuar 9.01.2024 14:11