Pas largimeve te shumë klube të Superiores, tashmë largimet kanë filluar edhe te “shijakasit” e Erzenit, me “fantazistin” kosovar, Sokol Kiqina, i cili është futbollisti i parë që ka konfirmuar ndërprerjen e bashkëpunimit me klubin.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë 21-vjeçari, i cili me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në rrjetet sociale është shprehur, se duke filluar nga 25 dhjetori, nuk do të jetë më pjesë e “shijakasve” të Erzenit.
“Miq të dashur, nga sot unë dhe Erzeni ndajmë rrugët. Ju falenderoj përzemërsisht të gjithë tifozët shijakas dhe kryesinë e klubit. Një vit plot kënaqësi, sfida e aventura në Kategorinë Superiore. Ishte kënaqësi të jem pjesë e familjes suaj. Respekt dhe Suksese KF Erzeni!”,- u shpreh Kiqina, në statusin e tij.
Sulmuesi nuk arriti të gjente shumë hapësira këtë sezon duke luajtur vetëm 9 ndeshje, por në minuta e fundit të sfidave, ndërsa në të kaluarën Kiqina ka qenë pjesë e Feronikelit dhe Llapit, teksa gjasat janë të mëdha që ai të rikthehet në futbollin kosovar. /abcnews.al