Uashingtoni dhe Pekini, përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve

Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk njoftuan takimin e shumëpritur mes Presidentit Biden dhe Presidentit Xi Jinping në nëntor, gjatë takimit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit që do të zhvillohet në San Françisko të Kalifornisë, thanë dy zyrtarë të lartë amerikanë. Këtë javë në Uashington, zyrtarët e lartë amerikanë zhvilluan bisedime me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me synimet për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në Uashington, i pari dialog ballë për ballë gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Të premten, Presidenti Joe Biden u takua me shefin e diplomacisë kineze, zotin Wang, duke theksuar nevojën për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Palët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë luftën e Izraelit me Hamasin, luftën e Rusisë kundër Ukrainës, krizën e fentanilit dhe çështjen e Detit të Kinës Jugore.

Uashingtoni i ka bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj mbi Iranin për të parandaluar një përshkallëzim të luftës në Lindjen e Mesme.

“Ne e dimë se Kina ka marrëdhënie me një numër vendesh në rajon dhe do t’i nxisim që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të nxitur qetësinë dhe stabilitetin. Paqëndrueshmëria e shtuar nuk është e dobishme për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, dhe padyshim që nuk sjell dobi për popujt e rajonit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller.

Kryediplomati kinez, Wang Yi, tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për të menaxhuar dallimet.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëbisedojnë dhe duhet të jetë një dialog i thellë e gjithëpërfshirës, me qëllim shtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pakësimin e keqkuptimeve dhe gjykimeve të gabuara”.

Disa ligjvënës amerikanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e mbështetjes së Kinës për Rusinë dhe Iranin.

Zëri i Amerikës bisedoi me ligjvënësin republikan të shtetit Viskonsin në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Gallagher, i cili drejton Komisionin për Konkurrencën Strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Partisë Komuniste të Kinës.

“Perëndimi duhet të zgjohet. Duket sikur gjithnjë e më shumë kemi të bëjmë me një bosht të fuqive autoritare të vendosura kundër interesave tona dhe të aleatëve tanë. Kina është lojtari dominues i këtij partneriteti dhe Putini është partner më i vogël. Gjithnjë e më shumë po shtohet bashkëpunimi me Iranin”.

Gjatë bisedimeve me kryediplomatin Wang, Presidenti Biden dhe Serketari Blinken shprehën gjithashtu ngushëllime për ndarjen nga jeta të premten të ish-kryeministrit të Kinës Li Keqiang.


Shtuar 29.10.2023 07:08

Tags: ,