Blinken drejtuar Iranit: Nëse sulmoni forcat amerikane, ne do të përgjigjemi me vendosmëri

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken paralajmëroi Iranin sot, duke thënë se Uashingtoni do t’i përgjigjet “vendosmërisht” çdo sulmi, pasi komuniteti ndërkombëtar ka frikë se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet në Lindjen e Mesme.

“SHBA nuk kërkon konflikt me Iranin. Ne nuk duam që kjo luftë të zgjerohet. Por nëse Irani ose bashkëpunëtorët e tij sulmojnë personelin amerikan, kudo që të ndodhë kjo, mos kini asnjë dyshim. Ne do të mbrojmë popullin tonë, sigurinë tonë, shpejt dhe me vendosmëri”, tha Blinken në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

SHBA-ja akuzon Iranin për “lehtësimin aktiv” të sulmeve ndaj bazave ku trupat amerikane janë të vendosura në Lindjen e Mesme dhe ka rritur praninë e tij ushtarake në rajon.

Në fjalën e tij, kreu i diplomacisë amerikane i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështesë një projekt-rezolutë të paraqitur nga SHBA-ja që njeh “të drejtën e të gjitha vendeve për vetëmbrojtje individuale ose kolektive”.

Javën e kaluar, SHBA vuri veton ndaj një projekt-rezolute të promovuar nga Brazili për një armëpushim në Rripin e Gazës, sepse nuk përmendte “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”. “Ku është zemërimi? Ku është neveria? Ku është refuzimi? Ku është dënimi i qartë i këtyre akteve të tmerrshme?’ Blinken vazhdoi pasi përmendi disa nga veprimet e Hamasit në sulmin që filloi në tokën izraelite më 7 tetor. “Asnjë anëtar i Këshillit, asnjë vend në këtë sallë, nuk mund dhe nuk do të toleronte masakrën e popullit të vet”, përfundoi ai.


Shtuar 24.10.2023 19:19