Meta njoftoi “divorcin”, Berisha: Nuk ka asnjë krisje, e përshëndes!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njoftoi ditën e djeshme vijimin e rrugëtimit të PL-së në opozitë e vetme.

Sali Berisha ka folur pas mbledhjes së deputetëve të PD për mediet dhe ka komentuar vendimin e ish-Presidentit Meta.

Ai ka theksuar për gazetarët se mes tij dhe kreut të PL-së nuk ka asnjë krisje.

Berisha: Asnjë krisje. Ai ka treguar vendosmërinë e tij të palëkundur për betejën politike. E përshëndes.

Më tej, Berisha ka dënuar përjashtimin e deputetëve demokratë me 10 ditë nga Kuvendi. Kujtojmë se më 6 tetor, Komisioni i Etikës vendosi të përjashtojë deputetët Zheni Gjergji, Asllan Dogjanit, Luan Baçi, Gazment Bardhit, Elda Hoti, Albana Vokshi, Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja.

Berisha: Absurde, të pabazuar, tërësisht në shkelje flagrante të rregullores, të përjashtimit të disa deputetëve nga Edi Rama, sepse ua kam thënë dhe ua them prap, ky është Linda e Parlamentit, është një automat që merr udhëzime vetëm nga Edi Rama. Pa i paralajmëruar asnjëherë, pa asnjë masë paraprake, direkt përjashtimin, tregon edhe njëherë qëndrimin armiqësor të Edi Ramës ndaj opozitës. U diskutua gjerësisht kjo situatë, në të cilën opozita konstaton se qeveria bën gjithçka për të shtypur çdo të drejtë të opozitës.

Duke u ndalur te çështja e Kosovës, Berisha tha se kanë përgatitur një rezolutë të mirë menduar në përputhje me qëndrimet e Kosovës dhe shpresojnë që në seancën e posaçme për Kosovën, e cila do të mbahet më 12 tetor në Parlament të votohet rezoluta e PD-së.

Berisha: U diskutua për rezolutën, mbi zhvillimet në Kosovë, një tekst shumë i mirë i përgatitur. Deri të dhënat se mazhoranca nuk pajtohet me problemin se duhet dënuar Serbia për atë që ndodhi në Kosovë, por nëse kjo klauzolë nuk pranohet, atëherë ky parlament mund të quhet fare mirë, parlamenti i Bjellorusisë, apo i një republike vasale të Rusisë. Kjo nuk mund të ndodhë. Ne kërkojmë të votohet rezoluta jonë, do të ua paraqesim shqiptarëve. Rezoluta që paraqet grupi parlamentar i PD-së, është një rezolutë absolutisht në përputhje të plotë me qëndrimet e parlamentit të Kosovës, me qëndrimet e miqve të Kosovës. Është një rezolutë shumë mirë e studiuar. Urojmë dhe shpresojmë që të mos mbeten skllevër të Vuçiç. Se ju e keni vënë re që emri i Vuçiç nuk është përmendur ndonjëherë nga Edi Rama, vetëm tha kur më thonë kosovarët, vëlla i Vuçiçit, herë tjetër ai nuk e përmend atë. Pavarësisht kësaj, uroj të votohet rezoluta jonë, ose të gjejmë një mirëkuptim të një rezolute të përbashkët. Ndërkohë diskutime të tjera, ishin shumë të rëndësishëm, z. Bardhi do të ju informojë./Albeu.com


Shtuar 10.10.2023 14:44