Vrau babanë me eksploziv, zbardhet dëshmia e 23-vjeçarit: Na dhunonte, më ka nxjerrë shumë herë nga shtëpia

23-vjeçari Mateo Gllucaj, i cili vrau babanë e tij tre ditë më parë në Selenicë, është lënë në burg nga Gjykata në një senacë me dyer të mbyllura.

Gjyqtarja e çështjes ka pranuar kërkesën e prokurorisë për një masë më të ashpër sigurie pasi sipas tyre provat janë evidente. Në sallë është marr edhe dëshmia e 23-vjeçarit i cili ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në komisariat. Ai ka pranuar krimin teksa ka dëshmuar se babai i dhunonte të gjithë dhe për më tepër shumë herë e kishte nxjerr nga shtëpia.

I riu nuk ka treguar deri tani se ku i ka gjetur municionet që kishte në banesë, teksa pas vendimit të gjykatës është transportuar drejt paraburgimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 shtator në Selenicë, ku 23-vjeçari, Mato Gllucaj, ka vrarë babanë e tij duke i vendosur eksploziv në sobën me gaz.

Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale, si rezultat i shpërthimit të një bombole gazi, por nga hetimet e thelluara rezultoi se 56-vjeçari humbi jetën pas shpërthimit të lëndës plasëse që ishte vendosur në sobën me gaz, nga i biri i tij.

Sipas policisë, 23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari.

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.

 


Shtuar 4.09.2023 12:27