Çollaku: Shpërblimi i Ramës bëri publikë policët që dhunuan 14-vjeçarët

Ish-deputeti dhe ish-këshilltari i presidentes së Kosovës, Kreshnik Çollaku, deklaroi se vendimi i qeverisë për shpërblimin e efektivëve të policisë ka nxjerrë në pah identitetet e personave që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj të miturve gjatë protestave të studentëve.

I ftuar të hënën në emisionin “Now”, të drejtuar nga Erla Mëhilli në Euronews Albania, Çollaku e përshkroi vendimin si një “shërbim të mirë”, pasi tashmë mund të identifikohen efektivët që kanë goditur 14-vjeçarë në rrugët e Tiranës.

Të lidhura

None found

Sipas tij, policët që janë përfshirë në këto veprime nuk e meritojnë të mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit dhe çdo qeveri e ardhshme duhet t’i largojë nga radhët e saj.

Çollaku tha se shqetësimi kryesor i protestuesve, por edhe i personave që merren me politikë, ishte pikërisht pamundësia për të mësuar se kush fshihej pas maskave. Ai shtoi se shpërblimi i miratuar nga Edi Rama ka bërë të mundur identifikimin e tyre.

“Të gjithë do të jenë në borderonë e Ministrisë së Brendshme. Kush ka marrë 2500€ për të rrahur fëmijët 14-vjeçarë të Tiranës, ditën e parë që një qeveri tjetër do të vijë në zyrë, do të largohet nga Policia e Shtetit”, u shpreh ai.

Çollaku theksoi se detyra e policisë është të mbrojë institucionet, objektet dhe jetën e qytetarëve, jo të ndjekë apo të dhunojë të miturit në rrugët e Tiranës. Ai i cilësoi efektivët e përfshirë si “banditë” dhe jo si policë të denjë për të shërbyer në Policinë e Shtetit.