“Tërhiq kallëzimin”, pronari i denoncoi pasi i vodhën biznesin, 4 persona në Krujë e kërcënojnë me armë

Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, parandalohet një ngjarje kriminale.

Vihen në pranga 4 shtetas që kanosën me armë zjarri, pronarin e një biznesi, që të tërhiqte kallëzimin për njërin nga të arrestuarit, për vjedhje në biznesin e tij.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte dhe 2 celularë.

Gjithashtu, gjenden dhe sekuestrohen bimë të dyshuara narkotike kanabis që dyshohet se janë kultivuar nga shtetasi që dyshohet për vjedhje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në lagjen “Kastrioti”, Fushë Krujë, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Step by step”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Elton Babasi, 25 vjeç, Altin Hima, 18 vjeç, të dy banues në fshatin Zallë; Sadri Hima, 42 vjeç dhe Aurel Hasa, 18 vjeç, të dy banues në Borizanë.

Shtetasi Sadri Hima dyshohet ka vjedhur në një biznes (njësi tregtare makinash), në pronësi të shtetasit B. H., i cili ka bërë kallëzim në Polici, për këtë shtetas.

Më pas, Hima, bashkë me 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, ka kanosur me armë zjarri shtetasin B. H., për të tërhequr kallëzimin.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se Sadri Hima ka kultivuar bimë narkotike që janë gjetur në fshatin Picrragë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu çifte, 2 celularë dhe bimët e dyshuara narkotike kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/ 


Shtuar 22.08.2023 11:32