Mbrojtësi 22-vjeçar, Altin Bytyçi, ësh të afrimi numër shtatë i Partizanit në merkaton e verës pas Albers Kekos, Eros Grezdës, Adnard Mehmetit, Pano Qirkos, Gjelbrim Taipit dhe kroatit Mateo Kocijan.
“Panorama Sport” zbuloi dje se shtatlarti nga Suhareka, që prej tri sezonesh radhazi ka qenë pjesë e Kukësit, ka arritur marrëveshjen me klubin e kuq dhe do të vijojë karrierën te Partizani, teksa pritet të zyrtarizohet në orët në vijim nga klubi.
Ai do të firmosë një kontratë 3- vjeçare me “demat”, ndërsa vjen nga Kukësi si futbollist i lirë, pasi nuk kishte arritur një marrëveshje zyrtare me verilindorët për sezonin e ri, paçka se gjithë fazën përgatitore e ka kryer në skuadrën e drejtuar nga Rraman Hallaçi. Mosha e re, por edhe prezantimi dinjitoz që ka bërë kosovari në radhët e Kukësit në Superiore, kanë bindur drejtuesit e kuq për t’i ofruar një kontratë. Bytyçi është titullari i dytë që transferohet nga Kukësi te Partizani në këtë merkato vere, teksa fillimisht firmosi ish-kapiteni Gjelbrim Taipi.
TAKSA E FORMIMIT – Bytyçi vjen si lojtar i lirë te Kukësi, por Partizani nuk mund t’i shmanget dot dëmshpërblimit për këtë transferim. Duke qenë se mbrojtësi është ende 22 vjeç, çdo klub që firmos kontratë me të duhet të paguaj taksën e formimit. Mësohet se bëhet fjalë për një shumë rreth 100 milionë lekë të vjetër që Partizani duhet të kalojë në llogarinë e Kukësit.. Mbrojtësi ka qenë tri vitet e fundit pjesë e Kukësit, ndërsa e ka nisur karrierën nga U-19 e këtij klubi.
Ai ka debutuar në Kategorinë Superiore gjatë një ndeshjeje ndaj Flamurtarit për kampionat më 23 maj 2018, që ka përfunduar në barazim 2-2 në stadiumin e Kukësit. Në karrierën e tij Bytyçi ka luajtur edhe për një kohë të shkurtër me Laçin, por duke mos marrë minutat e duhura. Ndërsa në sezonin 2019-2020 ka qenë pjesë e klubit kroat Medimurje Cakovec. Qendërmbrojtësi i ri i Partizanit ka qenë në vitin 2019 edhe pjesë e Kombëtares U-19 të Kosovës, duke u aktivizuar në tri ndeshje. /Panorama