Qeveria miraton disa projektligje dhe propozon 15 anëtarë për Këshillin Kombëtar të Shkencës

Në mbledhjen e rregullt të mbajtur sot, Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.

Sipas njoftimit për media, nisma lidhet me synimet e Qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit, për të avancuar bashkëpunimin juridik dhe për të rritur efikasitetin në luftën kundër kriminalitetit.

Të lidhura

None found

Qeveria miratoi gjithashtu Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes me Suedinë për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Sipas njoftimit, marrëveshja synon të zgjerojë bashkëpunimin në të drejtën penale dhe të lehtësojë procedurat mes dy vendeve, ndërsa projektligji kontribuon edhe në integrimin evropian, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

Po ashtu, u miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar. Ai synon të thellojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale dhe të lehtësojë procedurat përkatëse mes dy shteteve.

Në agjendë ishte edhe Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës. Traktati parashikon bashkëpunim për shkëmbimin e dokumenteve, të dhënave, informacioneve dhe sendeve, zbatimin e kërkesave për bastisje ose sekuestrim, përcjelljen e të dhënave gjyqësore, marrjen e deklaratave dhe ekzekutimin e urdhrave për konfiskim. Ai përfshin gjithashtu transferimin e përkohshëm të personave në paraburgim dhe ngritjen e ekipeve të përbashkëta hetimore.

Qeveria miratoi edhe Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës.

Me një vendim tjetër, Qeveria i propozoi Kuvendit të Republikës së Kosovës këta 15 anëtarë për emërim në Këshillin Kombëtar të Shkencës:

1. Aliriza Arënliu, Psikologji;

2. Arbnora Dushi, Folkloristikë;

3. Armond Daci, Farmakologji;

4. Arven Syla, Energjetikë;

5. Besnik Krasniqi, Ekonomi dhe Ndërmarrësi;

6. Emine Kalaja-Hajdari, Histori;

7. Fetah Podvorica, Elektrokimi;

8. Ibrahim Krasniqi, Ekonomi dhe Menaxhim;

9. Majlinda Bregasi, Gjuhësi;

10. Mentor Alishani, Veterinari;

11. Mihone Kerolli-Mustafa, Inxhinieri Mjedisore;

12. Mimoza Ibrani, Telekomunikacion;

13. Myzafere Krasniqi-Limani, Elektronikë;

14. Tringa Dedi, Pedagogji;

15. Valmir Krasniqi, Matematikë.

Gjatë mbledhjes u miratua edhe Raporti për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2025, i cili do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

U miratua vendimi përfundimtar për shpronësimin, për interes publik, të pronave të paluajtshme, strukturave, përfshirë objektet e banimit, përcjellëse dhe ekonomike, kulturave bujqësore dhe investimeve të pronarëve e zotëruesve të interesit që preken nga projekti “Ndërtimi i Rrugës Korishë — Kabash – Lidhja me Rrugën Rajonale R-118”. Shpronësimi përfshin zonat kadastrale Lubizhdë, Skorobishtë, Korishë dhe Kabash, në Komunën e Prizrenit.

Qeveria mori vendim preliminar për shpronësimin, për interes publik, të pronave të paluajtshme që preken nga projekti “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri R-1041 Klinë – Gurakoc”. Pronat ndodhen në zonat kadastrale Klinë, Klinafc, Dollc dhe Dresnik, në Komunën e Klinës.

U vendos gjithashtu që të shqyrtohet më tej kërkesa për shpronësimin, për interes publik, të pronave të paluajtshme që preken nga projekti “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë -Bresalc”. Kërkesa ka të bëjë me zonat kadastrale Smallushë dhe Sllovi, në Komunën e Lipjanit.

Po ashtu, u miratua kërkesa e Komunës së Prizrenit për ndarjen e 1,489,670.00€ (një milion e katërqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë euro) nga buxheti. Mjetet do të përdoren për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”, përmes Klauzolës së Investimeve, për të përmbushur detyrimet financiare nga punët e realizuara, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.


Shtuar më 28.10.2026 11:36