Real Madridi ka publikuar një kërkimfalje për popullin kinez, pas komenteve të Kylian Mbappes për ish-liderin e vendit, Mao Ce Dun.
Gjatë një “talk show”-je, sulmuesi francez e cilësoi Maon diktator. Deklarata nxiti reagime të ashpra nga komuniteti kinez dhe sponsorët.
Të lidhura
None found
Pasi çështja mori përmasa të mëdha dhe nisën të ndërpriteshin bashkëpunime, klubi madrilen u detyrua të kërkonte zyrtarisht falje.
“Real Madrid CF dëshiron t’i kërkojë ndjesë popullit kinez për çdo shqetësim që mund të kenë shkaktuar fjalët e fundit të lojtarit tonë, Kylian Mbappe”.
Klubi shtoi se ka respekt të madh për Kinën, historinë, kulturën dhe qytetarët e saj, si edhe për miliona tifozë kinezë që e duan dhe e admirojnë Real Madridin.
“Klubi ynë i bashkohet kërkimfaljes publike të Kylian Mbappes, i cili ka shprehur keqardhje për fjalët e tij dhe ka rikonfirmuar respektin për popullin kinez”.
Në deklaratë, Real Madridi riafirmoi përkushtimin ndaj respektit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes kulturave, si dhe shprehu dëshirën për të forcuar më tej lidhjet e miqësisë dhe dashurisë që e bashkojnë me Kinën dhe qytetarët e saj.




