Conte pranë “divorcit” me Interin, vendimi do të jetë konsensual

E ardhmja duket se është vendosur: Antonio Conte po përgatitet të largohet nga Interi. Është çështje orësh, ndoshta ditësh, që palët të bien dakord për ndarjen me mirëkuptim. Sepse Suning nuk ka ndërmend ta shkarkojë, por as Conte nuk e mendon dorëheqjen. Ka mbetur vetëm një vit në kontratë dhe duhet gjetur gjuha e përbashkët, pasi nuk është momenti për të qëndruar në llogore.

Hendeku mes kërkesave ambicioze të trajnerit puljez për programimin e së ardhmes dhe asaj që ofron presidenti Steven Zhang është i madh. Drejtuesit e lartë të klubit zikaltër e kanë bërë të qartë nevojën për shkurtimin e pagave dhe hyrjen në merkato për të siguruar një plusvalencë, çka do të thotë se tifozët e Interit nuk duhet të presin investime të mëdha. Madje shitja e një lojtari me peshë konsiderohet domosdoshmëri për të rregulluar bilancin.

E ardhmja e Antonio Contes, në këtë pike, duke përjashtuar një ndryshim të menjëhershëm kursi, do të jetë larg Milanos dhe, sipas të gjitha, gjasave edhe larg Italisë.

Në kontekstin aktual, nuk ka një klub të Serisë A që mund të përballojë një trajner me ambicie të tilla dhe kërkesa kaq të larta ekonomike. Nuk përjashtohet mundësia që 51-vjeçari të marrë një vit pushim. Gjithsesi, në tryezë janë hipotezat angleze, Tottenhami dhe Manchester United, dhe ajo spanjolle, me Real Madridin që mund të shohë te italiani pasuesin ideal të Zidane.


Shtuar 26.05.2021 11:06

Tags: , ,