Zgjedhjet e ardhshme të brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të zhvillohen gjatë vitit 2027, ndërsa gara për drejtimin e partisë ka nisur të marrë formë, pavarësisht se data e saktë ende nuk është përcaktuar.
Interesimi për këtë proces është rritur pas deklarimeve të disa figurave të LDK-së, të cilat kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të garuar për postin e kryetarit.
Të lidhura
None found
Deputeti Arben Gashi e bëri të ditur më 28 tetor se synon të kandidojë për kreun e partisë. Ai e lidhi kandidimin e tij me zhvillimin e një gare të hapur dhe demokratike.
Më 5 nëntor, edhe deputetja Hykmete Bajrami konfirmoi se do të hyjë në garë për kryetare të LDK-së, duke kërkuar që procesi zgjedhor të jetë i drejtë.
Mes emrave të përmendur është edhe Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, i cili më herët ka deklaruar se dëshiron të kandidojë për udhëheqjen e LDK-së. Rama ka sqaruar se nuk është anëtar i drejtpërdrejtë i kësaj partie, ndonëse LDK-ja e kishte propozuar dhe mbështetur për postin e kryetarit të kryeqytetit.
Në listën e personave që janë lidhur me këtë garë është edhe Avdullah Hoti. Më 25 janar 2026, ai kishte bërë publike kandidaturën e tij dhe kishte njoftuar se në Kuvendin e LDK-së, të planifikuar për 31 janar, do të kërkonte votën e delegatëve.
Megjithatë, pas votimit në Kuvend, delegatët nuk e pranuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut. Si rezultat, Abdixhiku mbeti në krye të partisë dhe Hoti nuk arriti të garojë për drejtimin e saj në atë proces.
Hoti është shprehur së fundi se LDK-ja ka nevojë për një udhëheqës që do të ishte në gjendje ta bashkonte partinë. Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe Kujtim Shalën, për të cilin ka thënë se do t’i bënte nder LDK-së.
Mundësinë e kandidimit nuk e ka përjashtuar as nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ndonëse deri tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën.

“Bota sot” ka kërkuar një qëndrim nga emrat e përmendur lidhur me synimet e tyre dhe pritjet për zgjedhjet e brendshme të vitit 2027, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje prej tyre.
Analistët politikë e konsiderojnë procesin e ardhshëm si vendimtar për të ardhmen e LDK-së. Sipas tyre, zgjedhjet mund të përcaktojnë drejtimin e reformimit të partisë, rikthimin e identitetit tradicional dhe mënyrën se si do të tejkalohen përçarjet e brendshme.
Disa prej tyre e shohin numrin më të madh të kandidatëve si shenjë të demokracisë së brendshme, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se rivalitetet dhe fraksionet mund ta thellojnë krizën në parti.
Saim Tahiraj, veprimtar i LDK-së, i ka cilësuar pozitive kandidaturat e Hykmete Bajramit dhe Arben Gashit. Në një prononcim për “Bota sot”, ai ka thënë se çdo anëtar që i plotëson kushtet e përcaktuara me statut ka të drejtë të kandidojë për kryetar.
Sipas Tahirajt, hyrja e këtyre dy emrave në garë e rrit seriozitetin e procesit dhe i jep më shumë përmbajtje demokracisë së brendshme të LDK-së.
Ai ka vlerësuar se Bajrami dhe Gashi kanë kontributin dhe meritat e tyre shumëvjeçare në parti, ndërsa ka kërkuar që gara të zhvillohet mbi bazën e përvojës, vlerave dhe meritokracisë.
Tahiraj ka shprehur rezerva për një kandidim të mundshëm të Përparim Ramës. Sipas tij, kryetari i Prishtinës nuk përfaqëson identitetin tradicional politik të LDK-së.
Ai ka deklaruar se Rama mund të kandidojë nëse i plotëson kërkesat statutare, por ka vlerësuar se kandidatët për drejtimin e partisë duhet të jenë të lidhur me trashëgiminë politike, institucionale dhe rugoviane të LDK-së, dhe jo figura të shkëputura nga rrënjët e saj.
Veprimtari i LDK-së ka kritikuar mënyrën se si është drejtuar partia gjatë viteve të fundit. Sipas tij, LDK-ja është larguar nga tradita dhe filozofia e saj politike.

Tahiraj ka thënë se në këtë largim ka ndikuar edhe ardhja në poste drejtuese e figurave që, sipas tij, nuk kanë pasur përvojën, njohuritë dhe lidhjen e nevojshme me historinë dhe strukturën tradicionale të LDK-së.
Ai ka kërkuar një reformë të thellë, rikthim te identiteti politik dhe te filozofia rugoviane. Sipas tij, partisë i duhen njerëz me integritet, përvojë politike dhe lidhje të dëshmuar shumëvjeçare me LDK-në.
Ndërkohë, analisti Gani Qarri ka paralajmëruar se gara mund të sjellë përplasje të reja mes fraksioneve të ndryshme. Në një prononcim për “Bota sot”, ai ka thënë se, krahas Përparim Ramës, Arben Gashit dhe Hykmete Bajramit, në opinion po përmendet edhe Lutfi Haziri.
Qarri ka vlerësuar se këta janë tre emrat kryesorë që deri tani kanë bërë publike ambiciet e tyre për postin e kryetarit, edhe pse data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar nga kryesia e LDK-së.
Sipas tij, për herë të parë, dy anëtarë veteranë të LDK-së, Arben Gashi dhe Hykmete Bajrami, si dhe Përparim Rama, i propozuar dhe i mbështetur nga LDK-ja për drejtimin e Prishtinës, kanë shprehur hapur gatishmërinë për të garuar. Qarri ka rikujtuar se Rama vetë ka deklaruar se nuk është anëtar i drejtpërdrejtë i partisë.
Analisti ka kritikuar edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku. Ai pretendon se gjatë drejtimit të Abdixhikut janë lënë mënjanë figura që kanë kontribuar për shumë vite në LDK, duke krijuar pakënaqësi dhe ndasi brenda saj.
Qarri ka deklaruar se anëtarë të përkushtuar nga Llapi dhe Rrafshi i Dukagjinit, të cilët sipas tij kanë mbajtur peshën kryesore të qëndrueshmërisë së partisë, janë larguar nga funksionet kryesore dhe nga vendimmarrja. Ai ka pretenduar gjithashtu se në poste të rëndësishme janë vendosur persona të ardhur nga parti të tjera, të cilët nuk kishin qenë më parë anëtarë apo kontribuues të LDK-së.
Sipas vlerësimit të tij, këto veprime e kanë dëmtuar rëndë imazhin e partisë dhe kanë ndikuar që LDK-ja të mos rritet në zgjedhje, por të bjerë në vendin e parafundit. Qarri ka paralajmëruar se ndasitë mund të çojnë në krijimin e fraksioneve të reja, në ndarje të mëtejshme dhe në humbje të mbështetjes nga votuesit e Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se kandidimi i mundshëm i Lutfi Hazirit mbetet një nga zhvillimet që mund ta bëjë garën edhe më të paparashikueshme. Haziri, duke deklaruar se ka garuar edhe në periudha të vështira dhe se nuk i frikësohet garës, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes, nëse merr mbështetjen e kryesisë aktuale dhe veçanërisht të Lumir Abdixhikut.
Qarri ka vlerësuar se për Hazirin kjo mund të jetë mundësia e fundit për të marrë drejtimin e LDK-së, pas një angazhimi shumëvjeçar në këtë parti.
Analisti ka paralajmëruar se situata aktuale mund ta shndërrojë procesin në një përplasje të hapur mes fraksioneve rajonale brenda LDK-së. Sipas tij, një garë mes dy ose tre kandidatëve konsensualë do të ishte më e dobishme sesa një proces që do të thellonte ndasitë dhe do ta çonte partinë drejt dobësimit të mëtejshëm.
Ai ka thënë se atmosfera e trazuar, distancimet fraksionale dhe përplasjet personale e grupore mund të ndikojnë që emrat e vetëshpallur të mos shërbejnë për demokratizimin e LDK-së. Sipas Qarrit, asnjëri prej tyre nuk e ka dëshmuar deri tani se është figurë mjaftueshëm e aftë dhe bashkuese për të realizuar ndryshimet e nevojshme, për ta reformuar partinë dhe për ta rikthyer atë si një forcë të rëndësishme politike.
Në përfundim, Gani Qarri ka përmendur Faton Bislimin si figurën që, sipas tij, mund ta bashkojë LDK-në dhe ta nxjerrë nga përçarja.
Ai e ka cilësuar Bislimin doktor të shkencave politike, të diplomuar në Universitetin e Harvardit në SHBA, dhe ka rikujtuar se ai ka qenë dy herë kandidat për kryetar të partisë. Qarri ka thënë gjithashtu se Bislimi ka qenë pjesë e ekipit të fushatës presidenciale të ish-presidentit Joe Biden dhe e ekipit të presidentit Trump.
Sipas analistit, Bislimi mund të shërbejë si figurë unifikuese, të ulë tensionet, të afrojë fraksionet e brendshme dhe ta rikthejë LDK-në në rrugën e stabilizimit. Ai ka vlerësuar se një rol i tillë do ta përgatiste partinë për zgjedhjet e ardhshme politike në Kosovë, të cilat pritet të mbahen pas disa viteve.





