25 viktima nga zjarret në Algjeri

Zjarret që janë përhapur në të gjithë Algjerinë kanë vrarë 25 persona, duke përfshirë 10 ushtarë që përpiqeshin të vinin nën kontroll flakët përballë erërave të forta dhe temperaturave përvëluese të verës, thanë ministritë e vendit të hënën.

Të paktën 1,500 njerëz u evakuuan, tha Ministria e Brendshme, pa dhënë më shumë detaje.

Ministria e Brendshme njoftoi për 15 të vdekur dhe 24 të plagosur. Më vonë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 10 ushtarë u vranë dhe 25 u plagosën teksa luftuan me zjarret në zonën turistike në lindje të kryeqytetit.

Nuk u bë e ditur se në çfarë periudhe kohore kanë humbur jetën viktimat, por zjarret kanë vazhduar të përhapen prej disa ditësh.

Zjarret, disa të përhapura nga erërat e forta, u zhvendosën nëpër pyje dhe zona bujqësore në 16 rajone duke shkaktuar 97 vatra në vendin e Afrikës Veriore.

Operacionet për shuarjen e zjarreve përfshinë rreth 7,500 zjarrfikës dhe 350 kamionë në terren, si dhe mbështetje ajrore.

Algjeria është përballur edhe më parë me zjarret e verës.

Të paktën 37 persona u vranë gushtin e kaluar pasi zjarret shpërthyen pranë kufirit verior të Algjerisë me Tunizinë.

Një vit më parë, autoritetet thanë se dhjetëra u vranë nga flakët – duke përfshirë ushtarë të thirrur për të ndihmuar në luftimin e zjarreve në rajone malore.

Erërat e forta dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit kanë ndezur zjarre të egra në Greqi dhe vende tjera përreth Mesdheut këtë verë./REL


Shtuar 24.07.2023 22:42