Tre leksionet nga rebelimi i Wagner, dhe asnjëri nuk është një lajm i mirë për “Carin”

Nga Pierre Haski “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ngjarjet dramatike që tronditën pushtetin e presidentit rus Vladimir Putin për disa orë gjatë fundjavës që shkoi, kanë ende më shumë sekrete për të na zbuluar. Vala e tyre tronditëse mund të ndihet për javët dhe muajt në vazhdim në mënyra të papritura.

Në këtë pikë, ne mund të nxjerrim të paktën 3 mësime nga ngjarjet që e kanë futur Rusinë në një epokë të re. Së pari, duhet të ndalemi pak tek kreu i forcave mercenare Wagner Group, Yevgeny Prigozhin, anti-heroi i këtij episodi.

Ndërsa historianët mund ta kenë të vështirë për ta përkufizuar figurën e tij, ata të paktën do të bien dakord se ai është një krijesë e vetë Vladimir Putin, dhe se i shpëtoi kontrollit të presidentit rus duke synuar të bëhej vetë një mjeshtër në fushën e lojës.

Kur Putin foli hapur për një “thikë pas shpine” në fjalimin e tij të ashpër publikuar mëngjesin e të shtunës, ai po përshkruante tradhtinë e një njeriu që i detyrohej atij për gjithçka që ka arritur deri më sot, por që kishte shkelur rregullin e artë të marrëdhënies me liderin rus.

Prigozhin e fitoi besimin duke i ofruar Putinit fitoren e tij të vetme të vitit në Bakhmut të Ukrainës, edhe pse me një kosto njerëzore të tmerrshme. Por Prigozhin u përfshi në një luftë për pushtet me udhëheqësit ushtarakë të Moskës dhe humbi.

Në këto kushte, çfarë do të mbetet nga Prigozhin dhe Wagner kur të qetësohen disi ujërat? Nuk është e sigurt se do të ketë më shumë peshë në të ardhmen. Askush nuk e sfidon Carin pa qenë i sigurt se do të fitojë. Ky është mësimi i parë i kësaj ngjarje të jashtëzakonshme.

Një “Fitore si e Pirros” për Putinin

Po me Putinin çfarë do të ndodhë tani? Kjo mbetet pyetja më vendimtare. Nuk ka asnjë dyshim se presidenti rus del i dobësuar nga kjo krizë. Është e vërtetë që ai e mbajti pushtetin, se nuk pati luftë civile dhe që Moska mbetet ende nën kontrollin e tij. Por kjo është vetëm një “Fitore si e Pirros”, pra shumë e kushtueshme.

Për më shumë se 20 vjet, fuqia e Putinit është ndërtuar duke u bazuar mbi mitin e të fortit. Ai nuk krijoi një shtet modern. Përkundrazi ndërtoi një “sistem” të bazuar në rishpërndarjen e të ardhurave, një aparat sigurie të shumanshëm dhe një shtet autoritar që lejon pak hapësirë ​​për shprehjen e kundërshtimeve.

Dhe çfarë ka mbetur prej tij sot? Duke e sfiduar atë, Prigozhin – njeriu që bën punët e pista, udhëheqësi mercenar dhe organizatori i fermave të trollëve që përhapin dezinformata – tregoi se perandori ishte lakuriq.

Duke luajtur midis mercenarëve të Wagnerit, çeçenëve dhe fraksioneve të tjera brenda ushtrisë së tij, Putini e ka humbur qartazi kontrollin e situatës. Kjo dobësi i shtohet dështimeve të tij të shumta gjatë luftës në Ukrainë, dhe nxjerr në pah para publikut një Putin të pambrojtur, të detyruar të fshihet pas barrikadave që ka ngritur në Kremlin, dhe këto jo kundër NATO-s, por kundër krijesës së tij. Kjo krizë do t’i shkaktojë me siguri plagë, ndoshta edhe fatale.

Çfarë do të thonë këto zhvillime për Ukrainën

Çfarë ndikimi do të ketë e gjitha kjo që ndodhi në luftën në Ukrainë? Këtu mbërrijmë tek leksioni i tretë:për një moment, ukrainasit besuan se kishte ndodhur një mrekulli, se një luftë civile në Moskë do ta devijonte gjetkë ushtrinë ruse. Në fakt nuk ishte kështu.

Megjithatë, ndikimi i kësaj krize në ushtri mbetet i dukshëm, pavarësisht se nuk mund të flitet më saktësi për përmasat. Çfarë ka ndodhur me Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov, të cilët kanë qenë kryesisht jashtë vëmendjes së publikut muajt e fundit?

Cili do të jetë ndikimi i akuzave të Prigozhin, që pretendoi së fundmi se nuk ishte kërcënimi i NATO-s ai që shkaktoi pushtimin e Ukrainës, por më tepër lakmia e gjeneralëve rusë? Është shumë herët për ta thënë këtë, por e gjitha kjo konfirmon edhe një herë, se kjo luftë ishte gabimi më i rëndë i sundimit të Putinit dhe e përforcon vendimin e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën. Ajo që ndodhi fundjavën e kaluar, ishte kriza më e keqe e Rusisë në 30 vitet e fundit dhe që ende nuk ka përfunduar. /albeu.com


Shtuar 27.06.2023 10:53