Studentët paralajmërojnë protesta nëse provimet profesionale nuk zhvillohen tërësisht në shqip

Përfaqësuesit e lëvizjes studentore u takuan sot në Ministrinë e Drejtësisë me ministrin Jeton Shasivari, ku diskutuan për zgjidhjen ligjore lidhur me provimin e Jurisprudencës.

Të lidhura

None found

Pas përfundimit të takimit, studentët deklaruan se nuk do të pajtohen me asnjë zgjidhje që nuk garanton zhvillimin 100% në gjuhën shqipe të provimit të Jurisprudencës.

Mevlan Ademi tha se kërkesat e tyre nuk lidhen vetëm me këtë provim, pasi edhe për provimet e tjera profesionale ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Sipas tij, studentëve u janë dashur tre vite për të arritur një rezultat që ende mbetet i paplotë.

“Ne nuk do të ndalemi vetëm te provimi i Jurisprudencës. E pyetëm ministrin për provimet tjera dhe fatkeqësisht ende nuk ka asnjë hap në këtë drejtim. Na kanë shkuar tre vite për të arritur diçka jo të plotë. Ne merremi me probleme të cilat duhet të ishin zgjidhur nga ligjet dhe kushtetuta jonë. Shpresoj që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për tema tjera”, tha Ademi.

Ai e cilësoi modelin e prezantuar gjatë takimit si një arritje që më parë nuk kishte ekzistuar, por theksoi se ai nuk përbën zgjidhje të plotë dhe se studentët nuk janë të kënaqur.

Ademi paralajmëroi se protestat do të vijojnë nëse miratohet një ligj që nuk siguron zhvillimin 100 për qind në gjuhën shqipe të provimeve profesionale./Telegrafi/