Në Prishtinë nis gjykimi ndaj tre personave të akuzuar për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e radhës gjyqësore ndaj tre të pandehurve për sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc, në Varagë të Zubin Potokut.

Të lidhura

None found

Para trupit gjykues po përballen me akuzat Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.

Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët janë vëllezër, akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste. Ndaj tyre rëndon edhe akuza për armëmbajtje pa leje, ndërsa Jovan Viqentijeviq akuzohet veçmas edhe për spiunazh.

Dy vëllezërit ndodhen në paraburgim, kurse Igor Dimoviq e ndjek procesin gjyqësor në gjendje të lirë.

Ngjarja për të cilën akuzohen ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Aktakuza pretendon se në kanal ishte vendosur një çantë që përmbante rreth 20 kilogramë eksploziv TNT dhe se fitilin dyshohet ta ketë ndezur Jovan Viqentijeviq.

Shpërthimi shkaktoi dëme në infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe vuri në rrezik furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës.


Shtuar më 19.10.2026 14:24