Lufta, Zelensky: Kundërofensiva e Ukrainës ka nisur

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky duket se ka konfirmuar se kundërsulmi i shumëpritur e vendit të tij kundër Rusisë ka filluar.

“Po zhvillohen veprime kundërsulmuese dhe mbrojtëse”, tha ai.

Por shtoi se nuk do të fliste në detaje se në cilën fazë apo gjendje ishte kundërofensiva.

Komentet vijnë pas një përshkallëzimi të luftimeve në jug dhe lindje të Ukrainës dhe spekulimeve për përparimin e shtytjes së shumëpritur.

Trupat ukrainase raportohet se kanë avancuar në lindje pranë Bakhmut dhe në jug pranë Zaporizhzhia, dhe kanë kryer sulme me rreze të gjatë ndaj caqeve ruse.

Por vlerësimi i realitetit në vijën e parë është i vështirë, me dy palët ndërluftuese që paraqesin narrativa të kundërta: Ukraina pretendon përparim dhe Rusia se po lufton sulmet.

Ndërkohë në rajonin Kaluga të Rusisë,  që kufizohet me rrethet jugore rreth Moskës, guvernatori Vladislav Shapsha tha në Telegram se një dron u rrëzua pranë fshatit Strelkovk herët të dielën.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një video-intervistë të publikuar të premten se forcat ukrainase me siguri kishin filluar ofensivën e tyre, por se përpjekjet për përparime kishin dështuar me viktima të rënda.

Duke folur në Kiev të shtunën pas bisedimeve me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Zelensky i përshkroi fjalët e liderit rus si “interesante”.

Duke ngritur supet, duke ngritur vetullat dhe duke u shtirur se nuk e dinte se kush ishte Putin, Zelensky tha se ishte e rëndësishme që Rusia të ndjente se “nuk i ka mbetur shumë kohë”.

Ai tha gjithashtu se komandantët ushtarakë të Ukrainës ishin në një humor pozitiv, duke shtuar: “Thuajani këtë Putinit”.

Trudeau njoftoi 500 milionë dollarë kanadezë në ndihmë të re ushtarake për Ukrainën gjatë vizitës së paparalajmëruar.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas bisedimeve tha se Kanadaja mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO “sapo ta lejojnë kushtet”, duke shtuar se çështja do të diskutohej në Samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani, në korrik.

Ndërkohë, luftimet janë përshkallëzuar ditët e fundit në rajonin kyç jugor Zaporizhzhia, thonë zyrtarët rusë, me forcat e Ukrainës që raportohet se po përpiqen të rifitojnë hyrjen në Detin Azov, gjë që do të ndante forcat ruse.

Shpresa e Ukrainës për përparime në rajon mund të pengohet nga përmbytjet e mëdha në jug të vendit pasi diga Nova Khakovka u shkatërrua javën e kaluar.

Përmbytja ka mbuluar rreth 230 milje katrorë (596 km katrorë) në të dyja anët e lumit Dnipro.

Në fjalimin e tij të natës të shtunën, Zelensky tha se 3,000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e përmbytura Kherson dhe Mykolaiv.

Dhe kreu rajonal i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha se nivelet e ujit kishin rënë me 27 cm, por më shumë se 30 vendbanime në bregun e djathtë të lumit ishin ende të përmbytura dhe pothuajse 4,000 ndërtesa banimi mbetën nën ujë.

NATO dhe ushtria e Ukrainës kanë akuzuar Rusinë për hedhjen në erë të digës, ndërsa Rusia ka fajësuar Ukrainën.


Shtuar 11.06.2023 08:10