Rritja e përdorimit të diodave që lëshojnë dritë (LED) dhe formave të tjera të dritës po ndikojnë në mënyrë dramatike në qiellin e natës, sipas shkencëtarëve.
Përdorimi pa kriter i dritës artificiale të jashtme, ndriçimit të rrugëve, shenjave reklamuese dhe ndërtesave të ndriçuara tashmë na pengojnë dukshëm pamjen e yjeve.
Në vitin 2016, astronomët zbuluan se Rruga e Qumështit nuk ishte më e dukshme për një të tretën e njerëzimit. Që atëherë, ndotja nga drita është përkeqësuar ndjeshëm. Aq shumë sa që me ritmin aktual, shumica e yjësive do të jenë të padukshme pas njëzet vjetësh – një humbje, kulturore dhe shkencore, e thellë, vlerësojnë shkencëtarët.
“Qielli i natës është pjesë e mjedisit tonë dhe do të ishte një humbje e madhe nëse brezi i ardhshëm nuk do ta shihte kurrë atë – ashtu siç do të ishte nëse ata nuk do të shihnin kurrë folenë e një zogu”, vëren Martin Rees, Astronom Mbretëror i Britanisë së Madhe. “Nuk duhet të jesh astronom që të interesohesh për këtë. Unë nuk jam ornitolog, por nëse nuk do të kishte zogj në kopshtin tim, do të ndihesha i varfër”.
Rees është themeluesi i një grupi ndërpartiak të “qiejve të errët” në Britani, i cili kohët e fundit prodhoi një raport që bën thirrje për një sërë masash për të trajtuar plagën e ndotjes nga drita.
Ndër masat e propozuara janë emërimi i ministrit për qiejt e errët, krijimi i një komisioni dhe vendosja e standardeve strikte për dendësinë dhe drejtimin e ndriçimit.
Hulumtimi nga fizikani Christopher Kimba i Qendrës Gjermane për Gjeoshkencat zbulon se ndotja nga drita ndriçon qiellin e natës me 10% në vit, një rritje që kërcënon të zhdukë pamjen e të gjithëve, përveç yjeve më të shndritshëm brenda një brezi. Me pak fjalë, një fëmijë i porsalindur, edhe pse sot është në gjendje të shohë 250 yje në qiellin e natës, për 18 vjet ai do të shohë vetëm 100.
Megjithëse rregullat për kontrollin e ndriçimit të bezdisshëm, me fuqi ligjore dhe ndëshkime për mospërputhje, mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në fenomen, problemi është se ndotja nga drita nuk perceptohet nga njerëzit si një kërcënim.
“Pasojat negative të ndotjes nga drita janë po aq të panjohura për popullatën sa ato të pirjes së duhanit në vitet 80”, pohon profesor Oscar Cortso, i Universitetit Politeknik të Madridit.