Veliaj 50 000 vota plus, si votuan “Blloku”, “Kombinati”, “Oxhaku”, “Ali Demi”

Erion Veliaj shkon në një rezultat plus 50 000 vota kundrejt Belind Këlliçit duke kapur një rekord të zgjedhjeve lokale pluraliste të zhvilluara gjatë tre dekadave të fundit në Shqipëri.

Siç rezulton nga të dhënat e KQZ-së, Veliaj ka një avantazh në të gjitha njësitë administrative të Tiranës.

Ndërkohë, në njësinë nr.10, e cila shtrihet kryesisht në zonën e ish-Bllokut, Veliaj ka shënuar një avantazh 1 400 votash ndaj Këlliçit ku kandidatët janë marrë specifikisht: Erion Veliaj, 5073 vota; Belind Këlliçi, 3626 vota, kurse Arlind Qori 509 vota.

Zona ku Veliaj ka marrë rezultatin më të mirë brenda qytetit të Tiranës janë njësia nr.6 ose Kombinati me plus 5 600 vota dhe njësia nr.3 ku rezulton të ketë siguruar një avantazh me 4000 vota kundrejt Këlliçit. Në të njëjtin rezultat me njësinë nr.3 duket të jetë dhe njësia nr.1. Veliaj ka një rezultat plus 4 300 vota edhe në njësinë nr.2.

Këlliçi nuk ka mundur të fitojë as në njësinë nr.11 që shtrihet kryesisht në zonën e Laprakës, e cila më parë njihej si zonë e djathtë. /albeu.com


Shtuar 15.05.2023 22:29