Ministri i Brendshëm humbi jetën gjatë rrëzimit të helikopterit, Ukraina gjen zëvendësuesin e përkohshëm

Shefi i policisë kombëtare të Ukrainës, Ihor Klymenko, është emëruar ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm pasi Denys Monastyrsky u vra së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë dhe disa fëmijë në një aksident me helikopter në një periferi këtë mëngjes.

Një përplasje helikopteri pranë një kopshti fëmijësh në periferi të Kievit, Brovary, la të vdekur të paktën 17 persona, përfshirë ministrin e brendshëm të Ukrainës. Të nëntë personat në bordin e helikopterit, gjashtë zyrtarë të ministrisë së brendshme dhe tre anëtarë të ekuipazhit, vdiqën në përplasje. Në mesin e 17 personave të vrarë janë edhe katër fëmijë. Aktualisht janë të shtruar në spital 25 persona, mes të cilëve 11 fëmijë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur rrëzimin e helikopterit të së mërkurës “një tragjedi të tmerrshme”. Zelensky ka urdhëruar shërbimet e sigurisë ukrainase të “zbulojnë të gjitha rrethanat” e incidentit dhe i quajti zyrtarët e ministrisë së brendshme që vdiqën “patriotët e vërtetë të Ukrainës”. /albeu.com


Shtuar 18.01.2023 15:03