Helmohen me ujë tre persona në Shkodër, nënë e bir rëndë, dërgohen në Tiranë

Mbrëmjen e djeshme janë paraqitur në spital në Shkodër, nënë e bir si dhe një kamerier, pasi kanë shfaqur simptoma të helmimit. Dyshimet e para janë se ata janë helmuar me ujë, ndërkohë nënë e bir janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar.

Njoftimi i policisë:

Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje../albeu.com


Shtuar 29.12.2022 11:01