Shtyhet sërish gjyqi në Apel për ekstradimin e turkut Faruk Ozer

 

Është shtyrë  sërish gjyqi në Apel për ekstradimin e Faruk Ozer, bosin turk të kriptomonedhave Thodex.

Seanca këtë herë u shty pasi avokati i Ozer ka deklaruar se do të paraqesë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit të vetëm të çështjes, Valbon Çekrezit.

Ky gjyqtar po shqyrton në Apel çështjen e ekstradimit të themeluesit të platformës Thodex. Seancën e kaluar gjyqtari vendosi të gjobisë avokatin mbrojtës të Ozer për zvarritje të procesit gjyqësor dhe  të kërkojë caktimin e një avokati kryesisht për mbrojtjen e shtetasit turk. Faruk Fatih Ozer e ankimoi në Apelin e Durrësit vendimin e gjykatës së Elbasanit për ekstradimin e tij drejt Turqisë. Më 17 nëntor të këtij viti, gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan vendosi ekstradimin në Turqi të Ozerit, vendim ky që u ankimua menjëherë.

Sipas Ozer dhe mbrojtjes së tij, ekstradimi në Turqi rrezikon jetën e ish-bosit turk të kriptomonedhave.

Në fund të gushtit, ai u arrestua në Shqipëri për llogari të Turqisë ku akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Ozer u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se u largua nga vendi me afro 2 miliardë dollarë të përfituara përmes mashtrimit të mijëra përdoruesve të platformës së tij të kriptovalutës.