Plani i qeverisë britanike për të dëbuar emigrantët e paligjshëm drejt Ruandës, është legjitim: Ky është vendimi që mori sot Gjykata e Lartë në Londër, duke përmbysur kështu shpresat e shumë klandestinëve që mbërrijnë në këtë vend për t’i shpëtuar deportimit.
Por ndonëse u shprehën kundër kësaj politike në tërësi, gjyqtarët vendosën sakaq në favor të tetë azilkërkuesve. Komenti i tyre ishte se ministria e brendshme nuk i kishte “parë më kujdes tetë rastet në fjalë, ndaj u vendos që ato të rishqyrtohen”.
Në mesin e tyre, është edhe një emigrant shqiptar, i cili mendohet të jetë më origjinë nga Shkodra. Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur kalimet e paligjshme në La Mansh kanë mbërritur nivele rekord. Në prill, Londra zyrtare vulosi një marrëveshje në bazë të të cilës, mijëra klandestinë që mbërrijnë në brigjet angleze, mund të dërgohen në Ruanda.
Dëbimi mund të prekë këdo që hyn ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, me përjashtim të të miturve të pashoqëruar. Deportime megjithatë, ende nuk ka pasur. Fluturimi i parë i këtij lloji u bllokua në muajin qershor me një urdhër të minutës së fundit nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndërsa u kërkua që ligjshmëria e të gjithë strategjisë që shqyrtohej në Gjykatën e Lartë të Londrës. Pavarësisht se kjo gjykatë vendosi në favor të qeverisë britanike, nuk do të thotë se fluturimet do të nisin menjëherë pasi mund të ketë apelim. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman e përshëndeti këtë zhvillim.
“Gjithmonë e kemi thënë kjo politikë është e ligjshme, dhe Gjykata e vërtetoi këtë”, tha ajo me tone triumfuese. Braverman shtoi se fokusi i saj mbetet ecja përpara sa më shpejt me politikat e veta të emigracionit, ndërsa shtoi se janë të gatshëm të mbrohen kundër çdo sfide të mëtejshme ligjore.